E Shtunë, 31 Tetor 2026

LRI hap panair në Ditën e Verës, me skandalet e Qeverisë Berisha

Lëvizja Rinore për Integrim ironizon qeverinë në Ditën e Verës. LRI ka festuar ndryshe nga të tjerët duke hapur dje në Parkun Rinia Panairin e skandaleve. Në këtë panair, ishin të ekspozuara, të gjitha skandalet e qeverisë Berisha, duke filluar që nga vjedhjet në Kalimash, shpërthimi i Gërdecit, shembja e Jalës, apo dhe skandali seksual i Ministrit Pango. Ndërkohë që pak metra më tej, Bashkia dhe Qeveria ofronin këngë e valle për të festuar Ditën e Verës, LRI i serviri qytetarëve në një pjatancë atë që qeverisja e sotme i ka dhënë si ushqim jetik. Kjo qeverisje ofron festime, ku një vit më parë, solli tragjedi, ofron ballokume, kur listat e dyqaneve nëpër lagje nxihen nga borxhet e qytetarëve të cilët nuk kanë as bukë të hanë. E nën ritmin e Rock and Rollit që i serviret qytetarëve, gjithashtu i serviret edhe varfëria, mosinteresimi ndaj tyre, papunësia, etj. Lëvizja Rinore për Integrim i rikujtoi edhe një herë qytetarëve se ajo që di të bëjë mirë qeveria Berisha janë skandalet dhe konkretisht binjakëzimin me sukses të shembjes së fshatit të Jalës, me shkatërrimin e Gërdecit. Kjo qeveri është qeveria e shkatërrimeve, ndaj LRI i bën thirrje të gjithë qytetarëve që sot në orën 17.00 të bashkohen në sheshin Nënë Tereza për ti thënë Ik Berishës, modelit të tij qeverisës dhe kasës së skandaleve. Gjatë panairit të skandaleve, nënkryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Besjan Pesha ndër të tjera u shpreh se jemi këtu sot për të festuar Ditën e Verës në një mënyrë të veçantë, për të ironizuar me të gjitha skandalet që kjo qeveri ka arritur të prodhojë në këto 3 vjet e gjysmë, mandat. Ai shtoi se, duke filluar që nga vjedhjet e Kalimashit, Shpërthimi i Gërdecit, Shembja e Jalës, apo dhe Skandali Seksual i Ministrit Pango. Duam të rikujtojmë qytetarët se mesa duket, arritja më e madhe që ka pasur Berisha në këto vite ka qenë fakti se ka binjakëzuar me sukses fshatin e shembur të Jalës, me fshatin e shkatërruar të Gërdecit, u shpreh Pesha, duke shtuar se kjo është arritja më e madhe që ka pasur kjo qeveri dhe asgjë tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›