E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Drejtësia vendoset në institucione, jo në mitingje

Opozita është duke abuzuar me tragjedinë e Gërdecit, për ta përdorur atë politikisht sidomos tani në prag të zgjedhjeve elektorale. Një deklaratë e tillë mbërriti nga selia e Partisë Demokristiane, nga deputeti i saj, Jak Ndokaj. Sipas tij, duhet që qeveria të eliminojë pasojat e tragjedisë së Gërdecit. PDK dënon me forcë çdo përpjekje, çdo formë të presionit që u bëhet organeve të drejtësisë për të deformuar të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit dhe për të shmangur nga përgjegjësia ligjore personat përgjegjës, shkaktarë dhe të implikuar me këtë tragjedi, ka theksuar Ndokaj, duke shtuar se kjo parti dënon gjithashtu edhe përpjekjet që po bën opozita e majtë për të manipuluar me viktimat e tragjedisë së Gërdecit, për të nxjerrë përfitime politike me kufomat e viktimave. Ai shtoi se janë institucionet e drejtësisë ato që duhet të përgjigjen për ngjarjen e rëndë të 15 marsit dhe jo të përdoret si kapital politik nga forcat e ndryshme. Faktori politik shqiptar, në pozitë dhe opozitë, duhet të mbështetë pavarësinë e këtyre institucioneve dhe ti inkurajojë ato në zbatimin e ligjit. Drejtësia në asnjë kohë dhe në asnjë vend demokratik, nuk vendoset nëpërmjet mitingjeve dhe presionit politik mbi institucionet e drejtësisë, vijon ai. Ndër të tjera në deklaratën për shtyp, deputeti Ndokaj ka përmendur kontributin e veçantë të PDK, në ngjarjen e Gërdecit, kur kjo parti ishte në qeverisje, duke kritikuar edhe faktin e mos vënies para drejtësisë së personave përgjegjës. Kur po mbushet një vit nga kjo tragjedi, PDK shikon me shqetësim se ende nuk janë venë para drejtësisë personat përgjegjës, që e shkaktuan këtë tragjedi, ndërkohë që janë shtuar spekulimet për përfitime politike nga tragjedia e Gërdecit, theksoi deputeti Ndokaj. Sipas tij, PDK e ka cilësuar tragjedinë e Gërdecit, një krim dhe duhet patjetër të dënon personat përgjegjës me të gjitha ashpërsitë e ligjit. Zbardhja e ngjarjes dhe dënimi i shkaktarëve të tragjedisë së Grërdecit me të gjithë ashpërsinë e ligjit është prova dhe sfida e institucioneve të drejtësisë shqiptare dhe garancia se institucionet tona të drejtësisë po ecin në rrugën e duhur, se Shqipëria po ecën e sigurt në rrugën e demokracisë dhe të konsolidimit të shtetit ligjor, ka përfunduar deklaratën për shtyp, Jak Ndokaj, deputet i PDK- së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›