Meta në Elbasan, për Ditën e Verës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka qenë për vizitë dje në qytetin e Elbasanit ku ka marrë pjesë në veprimtari të ndryshme, të organizuara me rastin e "Ditës së Verës", festë kjo tradicionale për këtë qytet. Gjatë qëndrimit të tij në Elbasan, Kryetari LSI, Meta ka vizituar disa familje të njohura në këtë qytet, duke shkëmbyer urimet e rastit për këtë festë.
Më pas Meta i shoqëruar nga drejtues të LSI në Elbasan, vizitoi panairin e Ditës së Verës, një aktivitet i përvitshëm në këtë ditë, duke u ndalur në të gjitha stendat ku kompani dhe firma të ndryshme nga Qarku i Elbasanit kanë ekspozuar produktet e tyre. Duke kaluar nëpër stendat e firmave të ndryshme, Meta u interesua për ecurinë e biznesit të tyre dhe i uroi ata për suksese të mëtejshme. Pasi ka dalë nga panairi, Meta ka preferuar të shëtisë në këmbë përmes bulevardit "Qemal Stafa" të Elbasanit ku ka shkëmbyer përshëndetje më banorë të shumtë që kishin mbushur shëtitoren e këtij qyteti. Duke ju përgjigjur interesit të medias e pranishme në këto aktivitete, z. Meta ka uruar qytetarët e Elbasanit në veçanti, por edhe gjithë shqiptarët me rastin e Ditës së Verës. Uroj të gjithë elbasanllinjve, dhe gjithë shqiptarëve "Ditën e Verës", festën e luleve, një ditë e shënuar kjo, që festohet në shekuj, në qytetin tuaj", tha gjatë urimit të tij Meta.