PR shfajëson Mediun: Opozita po mbron Delijorgjin
Partia Republikane e konsideron sjelljen e opozitës ndaj Tragjedisë së Gërdecit si të turpshme dhe manipuluese. Në një vjetorin e kësaj tragjedie nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali, tha se opozita po e shfrytëzon politikisht këtë ngjarje. Më tej Alibali tha se mitingu i opozitës në përkujtim të Gërdecit është presioni i radhës që i bëhet drejtësisë shqiptare dhe fillim i një fushate elektorale.
Sipas nënkryetarit të PR- së, Neritan Alibali opozita duhet të përgjigjet për lidhjet e saj me Mihal Delijorgjin si dhe për lehtësirat që i ka krijuar bizneseve të tij. Qëllimi i liderëve kryesorë të opozitës është: së pari linçimi politik dhe dënimi me çdo kusht i kryetarit të PR, Fatmir Mediu si ndëshkim ndaj qeverisë, duke qenë se zoti Mediu është një nga drejtuesit kryesorë të mazhorancës qeverisëse. Ekzistojnë prova komunikimi dhe marrëdhëniesh mes këtyre liderëve të opozitës dhe të arrestuarit të Gërdecit të cilat i disponon prokuroria në dosjen hetimore, por nuk ka dashur ti hetojë. Opozita e çarë do të organizojë mitingje në përkujtim të Gërdecit. Ato kanë një qëllim të përbashkët që nuk lidhet fare me qytetarët. Ai është presioni i radhës që i bëhet drejtësisë shqiptare tani që dosja e Gërdecit do të shkojë në gjykatë, ka theksuar nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali. Duke akuzuar opozitën ai është ndaluar tek disa detaje. Të mos harrojmë telefonatat e shumta dhe të gjata që kanë bërë me zotin Delijorgji, me qindra të tilla, tabulatet e të cilave disponohen. Të mos harrojmë udhëtimet jashtë shtetit dhe qëndrimet në hotelet luksoze me shpenzimet e zotit Delijorgji. Të mos harrojnë marrëdhëniet e biznesit që kanë edhe sot e kësaj dite me zotin Delijorgji, të cilat vazhdojnë të jenë me efektivitet të lartë, ka përfunduar nënkryetari i PR, Alibali. Republikanët i kërkojnë drejtësisë shqiptare ti shkojë deri në fund zbardhjes së ngjarjes për të vënë përpara drejtësisë fajtorët e vërtetë.