E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Vetëm 5% e mësuesve me të mesme

 

Shkollimi i popullsisë ndikon në uljen e nivelit të papunësisë në vend. Kështu janë shprehur dje burime zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ky reagim i MASH-it vjen pas deklaratës së dy ditëve më parë të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Durrës, sipas të cilit, "papunësia asnjëherë nuk është parë e lidhur ngushtë me arsimimin nga politika". "Qeveria do të vijojë ta ketë prioritet rritjen e shpejtë të nxënësve dhe studentëve në shkollat e të gjitha kategorive, krahas rritjes së cilësisë së tyre. Shkollimi i popullsisë e ul papunësinë, nuk e rrit atë, siç mendon opozita", tha zëdhënësja e MASH, Brikena Kollçinaku, e cila shtoi se, "edhe shifrat e publikuara nga Rama për arsimin profesional në Durrës, janë të pavërteta". Sipas saj, numri i nxënësve në gjimnaze dhe shkolla të mesme profesionale në këtë rreth është 8.235, prej të cilëve 2.049 nxënës ndjekin shkollat e mesme profesionale, ose 25% e nxënësve. Nisur nga deklarata e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për kualifikimin e mësuesve, se "në çdo 5 mësues, 4 janë pa shkollë", Kollçinaku tha se, "këtë deklaratë nuk do guxonte ta bënte asnjë militant socialist fanatik dhe analfabet". Ajo sqaroi se në rrethin e Durrësit nga gjithsej 2.079 mësues, janë 112 mësues pa arsim përkatës, kryesisht në zonat rurale, ose 5.3% e tyre. "Për shqetësimin e zotit Rama për mbipopullimin e universiteteve, sqarojmë se më shumë se ¾ e maturantëve kanë konkurruar për të shkuar në universitete dhe qytetarët shfaqin dëshirën për të mbushur shkollat e të gjithë niveleve. Shumimi i shkollave të larta është për t'u gëzuar, është një sukses për të gjithë shqiptarët që sivjet rritet me një vit shkollimi bazë i të gjithë popullsisë", ka thënë zëdhënësja e MASH-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›