Kriza e SHBA, sa ndikohen bankat e huaja në Shqipëri
Fabiola Çela
Kriza e kredive hipotekare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tronditi sistemin financiar ndërkombëtar. Për herë të parë, Banka e Shqipërisë hartoi raportin e stabilitetit financiar për vitin 2007. Në këtë raport ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë skanuar të gjitha bankat e nivelit të dytë që operojnë në vend dhe efektin që ka pasur kriza ndërkombëtare tek to. Sipas këtij raporti, kjo krizë nuk ka pasur efekt të drejtpërdrejtë te sistemi bankar në vend. Por duke qenë se shumë prej këtyre bankave janë filiale të bankave të mëdha që operojnë në tregun e huaj, BSH-ja ka kaluar në sitë edhe të dhënat e degëve mëma. "Në lidhje me gjendjen financiare të grupeve bankare evropiane që veprojnë në Shqipëri, sipas të dhënave që disponohen, rezulton që kriza e huave hipotekare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka sjellë pasoja të rëndësishme në bilancet e tyre", thuhet në raport. Ky është një lajm i mirë për sistemin bankar në vend. Por pavarësisht kësaj, BSH-ja ka forcuar kriteret e kredidhënies që duhet të zbatojnë bankat e nivelit të dytë te konsumatorët. Një masë e tillë mësohet të jetë marrë për të parandaluar rritjen e kredisë me probleme.
Raporti
Disa prej bankave më të rëndësishme në vend janë degë të bankave të mëdha greke. Sipas Bankës së Greqisë, bankat greke të pranishme në Shqipëri nuk kanë pasur pasoja negative të drejtpërdrejta nga kriza e kredive subprime. "Në veçanti, katër bankat greke më të mëdha, të cilat përbëjnë rreth 70 për qind të industrisë bankare greke, deri në fund të tremujorit të parë 2008 nuk raportojnë një ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj kredive hipotekare jocilësore për individët, as ekspozim jo të drejtpërdrejtë përmes investimit në letra me vlerë të lidhura me to", thuhet në raport. Por përveç bankave greke në vend operojnë dhe ato italiane. Në një prononcim të Guvernatorit të Bankës së Italisë, Draghi, theksohet se ekspozimi i bankave italiane kundrejt sektorit të kredive subprime "është i kufizuar në nivel ndërkombëtar". "Të dhënat mbi grupet më të mëdha bankare italiane kanë nxjerrë në pah faktin se vlera e investimeve në letra me vlerë të lidhura me kreditë subprime arrin në 1.3 miliardë euro, mesatarisht më pak se 1.5 për qind e kapitalit
bazë, ndërsa asnjë bankë italiane nuk ka dhënë kredi jocilësore ndaj partnerëve amerikanë", citohet në raport. Por, pavarësisht kësaj deklarate të dhënë nga zyrtarët e këtyre dy vendeve, sipas ekspertëve të ekonomisë të BSH-së, "duhet pasur parasysh se pasojat përfundimtare të krizës në bilancet e bankave duan ende kohë të shfaqen në mënyrë të qartë". Kjo, pasi situata e vështirë që po kalojnë tregjet ndërkombëtare financiare, përfaqëson një element të ri rreziku për sistemin financiar shqiptar. "Por ndikimi i saj do të bëhet i ndjeshëm për ekonominë shqiptare dhe sistemin tonë financiar, nëse ajo shndërrohet në një krizë globale me pasoja në ekonominë reale botërore dhe veçanërisht në atë evropiane, duke zgjatur në kohë", theksohet në raport.
Bankat mëma dhe efektet e krizës tek to
Raiffeisen Bank (Austri)
Raiffeisen International nuk është prekur drejtpërsëdrejti nga kriza financiare, por çmimi i aksioneve gjatë tremujorit të parë '08 është ndikuar negativisht prej saj. Fitimi i konsoliduar neto arriti në 254 milionë euro, një rritje prej 32 për qind krahasuar me një vit më parë - ky rezultat ka ardhur vetëm si pasojë e rritjes organike. Raiffeisen Albania zë rreth 2.68 për qind të totalit të aktiveve të Raiffeisen International, dhe rreth 31 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar në Shqipëri (mars 2008).
Intesa Sanpaolo (Itali)
Të ardhurat neto në tremujorin e parë të vitit '08 arritën në 1.7 miliardë euro (në fund të tremujorit të parë '07: 4 miliardë euro). Për të përballuar krizën financiare, Intesa-Sanpaolo u mbështet mbi bazën e fortë të depozitave të klientëve si dhe mbi pozicionin e shëndetshëm të likuiditetit e kapitalin bazë. Banka Amerikane e Shqipërisë zë rreth 0.15 për qind të totalit të aktiveve të grupit Intesa-Sanpaolo, dhe rreth 14.5 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar në Shqipëri (mars 2008).
Emporiki Bank (Greqi)
Impakti i rivlerësimit të portofolit prej 24 milionë euro në tremujorin e parë si dhe një rritje në koston e financimit, sollën një rezultat negativ neto prej 15.3 milionë eurosh. Humbjet e portofolit, 24 milionë euro gjithsej, pasqyrojnë kryesisht humbje të parealizuara, si pasojë e rivlerësimeve sipas tregut, të lidhura me zhvillimet e pafavorshme në tregun e letrave me vlerë. Banka Emporiki në Shqipëri zë rreth 0.64 për qind të totalit të aktiveve të grupit "Emporiki".
Credit Agricole SA (France)
Impakti negativ i krizës mbi të ardhurat në aktivitetet e tregut të kapitalit u neutralizua nga një rritje e qëndrueshme e të gjitha linjave të tjera të biznesit. Në total, të ardhurat neto nga veprimtaria bankare u rritën me 3.6 për qind. Banka Emporiki në Shqipëri zë rreth 0.01 për qind të totalit të aktiveve të grupit Credit Agricole, dhe rreth 2.8 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar në Shqipëri (mars 2008).
Piraeus Bank (Greqi)
Problemet në tregjet financiare ndërkombëtare e gjetën grupin "Piraeus" me një përmirësim si të mjaftueshmërisë së kapitalit, ashtu edhe të likuiditetit; me një raport të kredive ndaj depozitave prej 127 për qind në fund të vitit 2007. Tirana Bank zë rreth 1.19 për qind të totalit të aktiveve të grupit "Piraeus Bank", dhe rreth 9.6 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar në Shqipëri (mars 2008).
Banka Kombëtare e Greqisë (Greqi)
Në kushtet aktuale të tregjeve ndërkombëtare të parasë e kapitalit, NBG nuk janë prekur nga kriza aktuale e likuiditetit. Fitimi neto i grupit në tremujorin e parë të vitit 2008 u rrit, duke arritur në 423 milionë euro, në rritje prej 25 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Dega e Bankës Kombëtare të Greqisë në Tiranë përfaqëson rreth 0.28 për qind të totalit të aktiveve të grupit NBG, dhe rreth 5.9 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar në Shqipëri (mars 2008).
Societe Generale (Francë)
Gjatë vitit '07, të ardhurat e grupit zbritën me 2.8 për qind krahasuar me një vit më parë, për shkak të krizës financiare amerikane. Fitimi neto i grupit arriti në 947 milionë euro (81.9 për qind më pak sesa një vit më parë). Banka Popullore zë rreth 0.03 për qind të totalit të aktiveve të grupit "Societe Generale", dhe rreth 4.6 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar në Shqipëri (mars 2008).
Alpha Bank (Greqi)
Fitimi neto në tremujorin e parë të vitit '08 u rrit me 18 për qind, në 205 milionë euro. Të ardhurat neto nga interesi u rritën me 24.9 për qind, në 374.4 milionë euro. Gjatë problemeve në tregjet financiare globale, "Alpha" gjeneroi fitime të qëndrueshme për aksionerët me një rrezik të balancuar. Alfa Bank - Shqipëri përfaqëson rreth 0.79 për qind të totalit të aktiveve të grupit dhe rreth 6.4 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar në Shqipëri (mars 2008).