E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: “Berisha në krye të shtabit të emergjencës”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon Qeverinë se nuk po përballon siç duhet situatën e vështirë të krijuar në disa zona të veriut për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, pohoi madje se kryeministri Berisha duhet të kishte ngritur vetë një shtab emergjence për t u ardhur në ndihmë banorëve të izoluar. “Prononcimet qeveritare për situatën tepër shqetësuese kanë qenë sporadike dhe në nivel shumë të ulët. Situata të tilla kërkojnë që vetë Kryeministri të ngrejë dhe të drejtojë një Shtab Emergjence, për përballimin e situatës, pasi nuk mjafton demagogjia dhe deklaratat mediatike, por ndërhyrje urgjente dhe efikase, në zhbllokimin e rrugëve, furnizimin me ushqime dhe me energji elektrike të banorëve të izoluar, kujdesin shëndetësor dhe akordimin e një fondi të posaçëm për t i ardhur në ndihmë pushtetit vendor të këtyre zonave”, - tha Axhemi. Ai theksoi se Qeveria dhe institucionet në varësi të saj nuk po marrin asnjë masë për të bërë të mundur përballimin e situatës tepër të vështirë të krijuar në zonat veriore, verilindore e juglindore të vendit, si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës. Numri dy i LSI-së pohoi se një gjë e tillë tregon dukshëm se kjo Qeveri, nuk ka përgjegjshmërinë që kërkojnë situata të tilla të vështira, duke nisur kështu vitin me një dështim në përballimin e shqetësimit më të madh të momentit, atë të mijëra banorëve që prej tri ditësh gjenden të izoluar nga dëbora dhe reshjet. “Nga informacioni që kemi nga degët tona në rrethet e izoluara nga dëbora, si dhe nga këshilltarët tanë pranë pushtetit vendor të Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe, Kukësit, Hasit, Peshkopisë, Bulqizës, Matit, Korçës, Ersekës, etj, popullata e këtyre zonave po ndeshet me probleme serioze që kanë të bëjnë me pamundësinë e qarkullimit, mungesën e sigurisë në rrugët automobilistike, problemet me furnizimin e energjisë elektrike, shërbimet shëndetësore, etj”, - shtoi ai.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›