E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gërdecit, shtyrje hetimeve deri në tre vjet

Autori i Lajmit: red.
Zbardhja e shkaqeve që sollën tragjedinë e Gërdecit dhe vënia para drejtësisë të autorëve të saj, do të kërkojë dhe tre vjet kohë. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se zgjatja e hetimeve ka të bëjë me kompleksitetin e çështjes si dhe akuzën e re të ngritur pak kohë pas arrestimit për tre të dyshuarit e parë. Ndërkohë që zbardhja e plotë e çështjes kërkon aq shumë kohë, në pranga ndodhen Ylli Pinari, drejtori i kompanisë shtetërore MEICO; Mihal Delijorgji, administrator i kompanisë së demontimit të armëve “Abl Demil”, si dhe Dritan Minxholli. Ndërsa nën hetim ndodhet Dashnor Çaushi dhe Sokol Gjeci.
Hetimet
Hetimet për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 vetë, u plagosën 300 të tjerë dhe u regjistruan dëme afro 18 milionë euro, pritet të shtyhen deri në një afat trevjeçar. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur dje se hetimet për tragjedinë e 15 marsit rrezikojnë të zgjaten edhe për dy vite të tjera me radhë, duke kaluar afatin fillestar të një viti, kohëzgjatje e lejuar ligjërisht. Ndërkohë, grupi hetimor është në pritje të dy letërporosive të tjera, një nga Zvicra dhe tjetra nga Qiproja për Henri Tomein. Sipas të njëjtave burime, mësohet se shkak për këtë zgjatje ka lidhje me kompleksitetin e çështjes, si dhe akuzën e re të komunikuar të pandehurve. Kjo akuzë i jep të drejtën grupit të hetimit që të hetojë deri në tre vjet.
Të pandehurit
Pak ditë pas shpërthimit në depon e demontimit të armëve në Gërdec janë vënë në pranga tre të dyshuarit e parë. Ndërkohë që hetimet janë shtrirë deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet të merret në pyetje, për llogari të drejtësisë shqiptare, blerësi i armëve. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se të pandehurit për tragjedinë e Gërdecit janë Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli dhe Ylli Pinari. Ndërsa nën hetim ndodhet Dashnor Çaushi dhe Sokol Gjeci. Të njëjtat burime pohojnë se letërporosia e mbërritur nga SHBA-ja për Patrik Henrin, nuk është përkthyer ende.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›