E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërpritet dëbora, ende shumë komuna dhe rrugë të bllokuara

Autori i Lajmit: red.
Situata e krijuar nga reshjet e dëborës në disa zona të vendit tashmë paraqitet më e përmirësuar sot pas mesdite, në sajë edhe një përmirësimi të lehtë të kushteve të motit. Por megjithë punën e kryer nga shtabet e emergjencës, që po funksionojnë në të gjitha qarqet që u përballën me këtë situatë, shumë rrugë dhe komuna mbeten të bllokuara. Ndërkohë Ministria e Brendshme, duke iu referuare të dhënave në terren, tha dje se të gjitha rrugët kombëtare janë të kalueshme në një pjesë të tyre, por në disa segmente pranoi se ka vështirësi dhe se është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve. Fatmir Konja, nga MB, deklaroi se forcat e organizuara nga shtabet e emergjencës nën drejtimin e prefektëve të qarqeve po punojnë intensivisht për zhbllokimin e komunave të bllokuara gjatë këtyre ditëve. “Si rezultat i kësaj pune janë zhbllokuar komunat Shtiqën, Tërthore dhe Surroj në qarkun e Kukësit, dy komuna në qarkun e Dibrës si dhe po vijon puna për zhbllokimin e rrugëve që lidhin komunat e tjera me akset rrugore nacionale. Ndërkohë vazhdon puna për zhbllokimin e rrugës për në Shishtavec dhe Topojan në Kukës dhe në Sllovë e Kala të Dodës në Dibër”, - theksoi Konja. Ndërkohë korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA në qarkun Kukës informon se vijojnë të jenë të bllokuara komunat Zapod, Kalis, Ujëmisht, Bushtricë, Grykë Çajë dhe Arrën të rrethit të Kukësit dhe Lekbibaj dhe Bytyç të rrethit të Tropojës. Sakaq, në qarkun e Dibrës vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Reç, të rrethit të Dibrës, komunat Ostren, Trebisht e Martanesh, në rrethin e Bulqizës dhe komunat Xibër dhe Macukull në rrethin e Matit. Për sa i takon qarkut të Shkodrës, janë të bllokuara tërësisht, rrugët në komunat Iballë dhe Qelzë të Pukës, si dhe ajo Tamarë-Vermosh në Malësinë e Madhe. Edhe në Shqipërinë e Mesme dhe juglindje ka probleme ende me rrugët dhe zonat e izoluara. Kështu mbetet e bllokuar komuna Velçan në rrethin e Pogradecit, ndërsa në qarkun Elbasan janë të bllokuara komunat e Librazhdit, Stërblevë dhe Stravaj.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›