Projektligjet e nxehta të vjeshtës në Kuvendin e Shqipërisë
Eljona Ballhysa
Sesioni i ri parlamentar pritet të jetë i ngarkuar në diskutimin e rreth 28 projektligjeve, të cilat janë mbartur që nga viti 2006 e deri tani. Vjeshta politike pritet të nisë me projektligjet e nxehta të muajve të shkuar, siç është ai për kufizimin e imunitetit të deputetëve, apo tre draftet e mbetura për verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë, kërkesa e Neritan Cekës për heqjen e moratoriumit të skafeve, si dhe reforma në fushën e Drejtësisë. Në bankën e të dhënave të Kuvendit janë regjistruar 15 projektligje të miratuara nga Këshilli i Ministrave, të cilat presin shqyrtimin nga komisionet parlamentare dhe votën e deputetëve në sallën e Kuvendit. Po kështu, prej kohësh janë regjistruar 13 projekte të tjera të propozuara nga deputetë të ndryshëm të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo që bie në sy është shkelja e afateve në diskutimin e një sërë projektligjeve, të cilat mbajnë si vit të depozitimit në Kuvend 2006-n dhe 2007-n, ndërkohë që ka kaluar më shumë se gjysma e vitit 2008 dhe këto drafte ende nuk janë diskutuar nga ligjvënësi.
Debatet
Pritet që debate të sjellin më shumë në sallën e Kuvendit rikthimi për diskutim i tre drafteve të propozuara për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Kjo ishte një ndër temat kryesore me të cilat u mbyll sesioni i kaluar parlamentar, për shkak të tërheqjes së grupit parlamentar socialist. Por, sipas burimeve nga PD-ja, kjo parti do të kërkojë ridiskutimin e draftit dhe gjetjen e një konsensusi mes palëve për miratimin e tij. Në Kuvend janë të depozituara tre projekte, si ai “Për kontrollin e figurës së personit zyrtar të zgjedhur apo të emëruar në organe të rëndësishme të shtetit”, i paraqitur nga Nard Ndoka më 27.10.2006; projektligji “Për verifikimin e të qenit bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete shqiptare, para datës 31.12.1992 të funksionarëve të lartë publikë”, i paraqitur nga Grupi Parlamentar i PS-së më 26.10.2006; si dhe projektligji “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”, i paraqitur nga Grupi Parlamentar i PD-së më 25.10.2006. Debate priten dhe gjatë diskutimit të një tjetër projektligji të propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, siç është ai “Për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale”, i depozituar në Kuvend më 19.09.2007. Ky projekt nuk është miratuar për shkak se Partia Socialiste është shprehur kundër tij, ndërkohë që PD-ja ka kërkuar në vazhdimësi konsensusin e opozitës. Pritet që ky projekt, i cili është dhe një kërkesë e ndërkombëtareve për kufizimin e imunitetit të deputetëve në raste që lidhen veçanërisht me korrupsionin, të rikthehet sërish në qendër të debateve politike. Debate pritet të sjellë dhe projektligji i depozituar nga deputetët e LSI-së për vendosjen e statusit të minatorit. Ky propozim është rrëzuar poshtë nga ministri i Financave, i cili është shprehur se miratimi i këtij drafti ka një kosto të papërballueshme financiare për buxhetin e shtetit. Në Kuvend janë të depozituara një sërë projektesh të rëndësishme, siç është ai për administratën gjyqësore dhe që pritet të miratohet me konsensusin e opozitës. Një tjetër draft i rëndësishëm i propozuar nga qeveria është “Për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet”. Po kështu dhe projektligji “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore” pritet të sjellë debate në komisionet parlamentare. Një tjetër draft është dhe ai i paraqitur nga deputeti Neritan Ceka për “Për shpalljen e Moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë”, i depozituar 18.03.2008. Miratimi rreth 3 vjet më parë të moratoriumit i cili ndaloi qarkullimin e mjeteve motorike në territorin e ujërave shqiptare solli debate të ashpra në Kuvend. Deputeti Ceka nka bërë propozimin që tashmë ky moratorium të shfuqizohet dhe t’i jepet e drejta qytetarëve shqiptarë të lundrojnë lirisht.
18 Gusht 2008