E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: “Mbi 40% e të varfërve ekstremë në Shqipëri, të rinjtë”



Rritja e frikshme e çmimeve në vend po shton jo vetëm listat e faturave të papaguara në dyqane, por në grupin e atyre që janë përfshirë në krizën e ushqimit kanë hyrë kategori të reja. Këto të fundit njihen edhe si potencialet më të mëdha të zhvillimit. Banka Botërore në analizën e saj që po i bën krizës së ushqimit në Shqipëri, ka kërkuar që në qendër të vëmendjes të qeverisë duhet të jenë më shumë se kushdo familjet e reja, në grupin e të cilave, sipas studimit të bërë, lokalizohen rreth 40 për qind e të varfërve në të gjithë vendin. Në këshillat e saj që ka dhënë për qeverinë shqiptare, BB-ja ka rekomanduar pikërisht që të merren masa të drejtpërdrejta nga ana e qeverisë për të ndihmuar vetëm kategorinë e të varfërve në Shqipëri, por që janë në numër dhe përqindje shumë të lartë. Sipas studimeve të bëra nga BB-ja, “për Shqipërinë del se gati 40 për qind e atyre që jetojnë në varfëri ekstreme janë kryesisht familjet e reja, ku kryefamiljari nuk është më i madh se 30 vjeç. Këto familje të reja, që përbëjnë dhe shtresën më të rrezikuar nga kriza e çmimeve, janë të shtrira në të gjithë hapësirën gjeografike të vendit. Shumica e tyre janë të papuna dhe nuk përfshihen në asnjë mekanizëm kompensues nga ata që qeveria ka premtuar se do të përdorë”. Sipas këtij raporti, më shumë se 46 për qind e të varfërve sot në Shqipëri janë individë të vetëpunësuar dhe kryesisht në bujqësi. Për rrjedhojë, ky grup prej 260 mijë personash që jetojnë me më pak se 50 dollarë në muaj, mbetet në pjesën dërrmuese jashtë skemës kompensuese të qeverisë.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›