LSI: Dialog politik, për hir të integrimit
Lëvizja Socialiste për Integrim u bëri dje thirrje forcave të tjera politike që ta lexojnë me vëmendje rekomandimin për dialog politik, pasi kjo nuk ka të bëjë vetëm me fatin e tyre elektoral, por me gjithë vlerësimin që bën BE për sistemin tonë politik dhe ecurinë e reformave. LSI e cilësoi progres-raportin e Komisionit Evropian (KE) për Shqipërinë si një pasqyrë realiste për arritjet e deritanishme të Shqipërisë. Sipas zv.kryetarit të LSI-së, Edmond Haxhinasto, “raporti i progresit të KE-së për Shqipërinë është një pasqyrë realiste për arritjet e deritanishme të Shqipërisë në rrugën e reformave dhe inkurajim se vendi po ecën në rrugë të mbarë”. Ai përmendi rekomandimet kryesore të paraqitura në raport, që tashmë janë bërë pjesë e programeve reformatore të Qeverisë së Integrimit Evropian, siç janë ato në forcimin e pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, reforma zgjedhore etj.”. Z. Haxhinasto siguroi: “LSI, si forcë politike, do të vazhdojë të realizojë aktivitetin e saj politik, duke kontribuar edhe në të ardhmen në vendosjen e një dialogu politik e intensiv midis forcave politike". Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, ambasadori Helmuth Lohan, prezantoi dy ditë më parë progres-raportin e KE-së për Shqipërinë për vitin 2009. Raporti i KE-së vlerësoi disa progrese të Shqipërisë si ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, ecurinë e një sërë standardesh evropiane, rolin konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal etj.