E Diel, 1 Nëntor 2026

Wetzel: Gjermania, mbështetje Shqipërisë, opozita të hyjë në Kuvend



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje një delegacion nga Parlamenti gjerman i kryesuar nga anëtarja e Bundestagut Margrit Wetzel, e cila dha garancitë se Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. Në konferencën e përbashkët për shtyp, deputetja gjermane deklaroi se prania e opozitës në Kuvend është e rëndësishme. “Sigurisht që pjesëmarrja e opozitës në Parlament është tejet e rëndësishme, në mënyrë që të merren vendime për të ardhmen e vendit. Unë doja të theksoja faktin që pjesëmarrja e opozitës apo mbledhja e Parlamentit në numrin e tij të plotë është vërtet tejet e rëndësishme”, - deklaroi Wetzel. Për sa i përket integrimit të vendit, ajo tha se Gjermania mbetet një vend që do të ndihmojë Shqipërinë. “Mendoj se Shqipëria, derisa të pranohet anëtare e BE-së, duhet të ecë dhe të bëjë progrese të caktuara. Mendoj që është në rrugën e duhur për këtë. Ne e respektojmë kërkesën e Shqipërisë dhe e mbështesim në rrugën drejt integrimit”, - tha ajo. Nga ana e saj, kryeparlamentarja Topalli deklaroi se nga ana e Shqipërisë po pritet mbledhja e Parlamentit gjerman, por ajo shtoi se Shqipëria është në rrugë të mbarë. “Besoj se jemi në rrugën e mbarë. Bashkëpunimi dhe forcimi i marrëdhënieve mes dy parlamenteve tona është themelor. Aq më tepër që Gjermania është një nga vendet që ka mbështetur Shqipërinë në proceset e saj integruese në terma politikë, ekonomikë etj. më shumë se çdo vend tjetër, ndaj dhe jemi shumë mirënjohës dhe unë ia shpreha këtë mirënjohje delegacionit gjerman”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›