Presidenca suedeze: 2010-a, viti pa viza i shqiptarëve
Përfaqësuesja e konsullatës suedeze në Shqipëri, Elisabeth Stam, shprehet optimiste se në vitin 2010 vizat do të liberalizohen për qytetarët shqiptarë. Gjatë një forumi të organizuar dje, diplomatja suedezë tha më tej se Shqipëria nuk ka për t’u refuzuar. Në fjalën e saj Stam tha më tej se perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Be-së është e qartë.
Presidenca suedeze konfirmon se liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë do të ndodhë në vitin 2010. Përfaqësuesja e konsullatës suedeze në Shqipëri, Elisabeth Stam, deklaroi dje se liberalizimi i vizave me Shqipëri nuk mund të ndodhë gjatë 2009, por konfirmoi se në vitin 2010 kjo është plotësisht e mundur. “Heqja e vizave nuk është e mundur gjatë Presidencës suedeze, por mendojmë se në vitin 2010 kjo mund të bëhet”, - deklaroi diplomatja suedeze. Sipas saj, Bashkimi Evropian nuk do të refuzojë kërkesën e Shqipërisë për liberalizim vizash. Nga ana tjetër, ajo pohoi se Suedia mendon që Shqipëria duhet të përfshihet si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në këtë nismë. “Nuk besoj se Bashkimi Evropian do ta refuzojë një kërkesë të tillë për Shqipërinë”, - shtoi Stam.
Duke qëndruar tek tema e liberalizimit të vizave, diplomatja suedeze garantoi se BE nuk ndikohet aspak nga përkatësia fetare. Ajo hodhi poshtë pretendimin sipas të cilit vende myslimane janë lënë qëllimisht jashtë liberalizimit të vizave. “Këto supozime janë një mënyrë e thjeshtë për politikanët për të larguar përgjegjësinë nga mangësitë e punës së tyre, duke drejtuar gishtin nga Brukseli. Kjo përqasje për çështje që lidhen me përkatësinë etnike dhe fetare në një rajon si Ballkani, jo vetëm që është e gabuar, por edhe e rrezikshme. Kjo gjë është e patolerueshme”, - Elisabeth Stam.
Gjatë takimi të djeshëm të organizuar nga EMA dhe instituti “Friedrich Ebert”, ishte i pranishëm edhe drejtori i FES për Shqipërinë, z. Michael Weichert. Ai tha në fjalën e tij se BE duket të rrisë angazhimin e tij për zgjerimin e mëtejshëm. “Ky është një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe nevojitet një Selanik i dytë (Referencë e lidhur me takimin e Këshillit Evropian në Selanik të 2003-shit) për të nxitur më shumë avancimin e procesit të zgjerimit”, - tha Weichert.
Procesi i liberalizmit të vizave duket se do të përfshijë edhe Shqipërinë në vitin e ardhshëm. Deklaratat diplomatike të anëtarëve të Bashkimit Evropian konfirmojnë qartë se vendi është afër procesit. Sipas tyre, Shqipëria ka bërë progres dhe mjaftojnë vetëm disa arritje të fundit për të finalizuar procesin. Me kohën e mbetur duket se Shqipëria do të realizojë edhe angazhimet e fundit dhe më pas, në mesin e vitit 2010, shqiptarët do të mund të udhëtojnë në vendet “Shengen” pa problem.