E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, Unfraidh: Irlanda, shembull model për Shqipërinë



Qeveria shqiptare konsideron se referendumi i qytetarëve irlandezë për Traktatin e Lisbonës do t’i japë një dimension të ri Bashkimit Evropian. Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, theksoi dje, gjatë takimit me ambasadorin e Irlandës në Tiranë, me rezidencë në Athinë, z. Antoin Mac Unfraidh, se referendumi i qytetarëve irlandezë për Traktatin e Lisbonës do t’i japë një dimension të ri Bashkimit Evropian. Meta falënderoi ambasadorin irlandez për mbështetjen dhe kontributin që vendi i tij i ka ofruar Shqipërisë, si dhe shembullin model që ajo përfaqëson për zhvillimin dhe rritjen ekonomike për Shqipërinë dhe për vendet e rajonit tonë, në rrugën e tyre të ndryshimeve dhe progresit ekonomik. Shefi i diplomacisë shqiptare përshëndeti rezultatin pozitiv të referendumit të qytetarëve irlandezë për Traktatin e Lisbonës, duke e cilësuar atë "një zhvillim që do t’i japë një dimension të ri Bashkimit Evropian". “Gjithashtu, - nënvizoi ai, - ky është një lajm i shkëlqyer për Shqipërinë dhe vendet e tjera që po presin t’i shtohen familjes së vendeve të Bashkimit Evropian”. Ambasadori Mac Unfraith, duke vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e saj për përafrim me familjen evropiane, siguroi vazhdueshmërinë për këtë ndihmë dhe mbështetje. Gjithashtu, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për situatën në rajonin e Ballkanit, ku ambasadori i Irlandës vlerësoi politikën e jashtme të Shqipërisë në rajon si dhe kontributin e saj në misione për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, në botë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe edhe në fushën e ekonomisë, duke ftuar për bashkëpunim bizneset e të dy vendeve tona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›