LSI: Djegia e flamurit të NATO-s, mentalitet fondamentalist dhe tejet regresiv Luan Rama

Lëvizja Socialiste për Integrim, denoncoi dhe dënoi publikisht aktin e shëmtuar, të turpshëm dhe tejet provokativ të djegies së flamurit të NATO-s në mjediset e protestës së organizuar nga lidershipi josocialist i Partisë Socialiste. Deklarata u bë sot përmes një komunikimi për mediat nga sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, i cili tha se nuk beson se përmes këtij gjesti lidershipi josocialist i Partisë Socialiste dëshiron të shpreh mesazhe për organizatën më të madhe politiko ushtarake, për partnerin më të madh të sigurisë sot në botë dhe për NATO-n, ku Shqipëria është anëtarja më e re e saj. “Gjeste të tilla, apo akte të tilla të shëmtuara në thelb shprehin një mentalitet fondamentalist dhe tejet regresiv, të cilin nuk e bashkon asgjë më trendin evropian të zhvillimeve të vendit dhe me investimin e madh, që vet shoqëria shqiptare ka bërë dhe po bën në kuadër të integrimit të plotë vendit, në tërësinë e hapësirës euroatlantike”, tha Luan Rama. Sipas tij, “djegia e flamujve, apo thirrjet për djegie flamujsh janë shenja të mentaliteti tejet të prapambetur, janë rudimente të një politike më të vjetër sesa politika e vjetër, e për pasojë ajo çfarë priste dhe pret opinioni nuk është heshtja përballë shfaqjeve të tilla të shëmtuara, por është reagimi i përgjegjshëm qytetarë dhe politik”. Ai ftoi publikisht kryetarin josocialist të Partisë Socialiste që të distancohet dhe të dënojë prerë dhe qartazi, publikisht dhe politikisht, aktin e shëmtuar të djegies së flamurit të NATO-s në protestën e organizuar prej tij.