Berisha takon Ahmetin: Konsiderojmë të rëndësishëm zbatimin e marrëveshjes së Ohrit Kryeministri Berisha dhe kreu i BDI, Ali Ahmeti, gjatë një takimi (Foto Arkiv)

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. prit sot në një takim kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të Maqedonisë, Ali Ahmeti. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Ahmeti folën mbi diskutimet që patën mes tyre. “Me kryetarin e BDI-së, zotin Ali Ahmeti ne patëm një diskutim të zgjeruar mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Maqedoni. Ne diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve tona, ramë dakord që kontaktet, sikundër deri tani, të jenë të vazhdueshme për të gjitha problemet”, bëri të ditur për mediat, Berisha. Ai tha se “qëndrimi i Shqipërisë, qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare është dhe mbetet i pandryshuar, paqja, stabiliteti i Maqedonisë, integriteti i saj janë jetikë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Sikundër, tha ai, “konsiderojnë jashtëzakonisht të rëndësishëm zbatimin e plotë dhe konsolidimin e marrëveshjes së Ohrit”. “Dhe kur them këtë, dua të shpreh vlerësimin tim të palëkundur me të gjithë progresin thelbësor që është arritur në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Unë kam bindje se zbatimi i saj do të eci e pandërprerë, sikundër ka ecur gjer sot, në interesin më të mirë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në interesin më të mirë të mbarë shoqërisë maqedonase e të Maqedonisë në tërësi”, deklaroi Kryeministri i Shqipërisë. Ndërsa kreu i BDI, Ali Ahmeti tha se dëshiron në radhë të parë, shëndet dhe suksese në rrugën, të cilën, me shumë angazhime, zoti Kryeministër po bën në drejtim të implementimit të standardeve që na afrojnë drejt Bashkimit Evropian, standardeve që na afrojmë si fqinj, bashkëpunimin e Shqipërisë, Maqedonisë, por edhe kontributin e zotit Kryeministër në drejtim të bashkëpunimit brenda rajonit. “Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë se Shqipëria është një lobiste e vërtetë që Maqedonia sa më parë të jetë anëtare e NATO-s, të mos jetë akoma më larg e shkëputur nga Karta e Adriatikut, sepse nga Karta e Adriatikut, Shqipëria dhe Kroacia janë në NATO dhe të gjitha angazhimet ne i bëjmë në këtë drejtim, që sa më parë Maqedonia të zërë vendin e merituar, sepse duke qenë në NATO kemi më shumë siguri, më shumë stabilitet, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin si tërësi”, tha për mediat, Ahmeti.