LSI: Do paraqesim projektligjin tonë për imunitetin. Rusmali e Gumi nuk firmosën draftin e PD
Nisma ligjore e Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit duket se ka sjellë një tjetër përplasje me LSI-në. Këta të fundit thonë se do paraqesin nismën e tyre për imunitetin. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani, tha për AS se nisma e tyre ligjore parashikon zero imunitet për të zgjedhurit dhe të emëruarit politikë, ndërkohë që parashikon mbrojtje për gjyqtarët, që të mos bien pre e shantazheve.
Bie në sy se në listën e firmëtarëve të projektligjit të PD për heqjen e imunitetit është edhe Vangjel Tavo i LSI, ndërkohë që mungojnë firmat e Ilir Rusmalit dhe Viktor Gumit, dy emra kyç të mazhorancës në fushën e ligjeve, njëri kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe i dyti sekretar. Mësohet se vetë katër deputetë nga 39 firmëtarë janë pjesë e Komisionit të Ligjeve.