Kuvendi i heq imunitetin Mediut, voton kundër zbardhjes së Gërdecit
Eljona Ballhysa
Deputetët e Kuvendit, ndonëse janë shprehur njëzëri politikisht për heqjen e imunitetit të Mediut, gjatë votimit të fshehtë që u krye dje në mbrëmje, rezultoi se kishte një “hemorragji” jo të vogël votash në favor të ish-ministrit të Mbrojtjes. Plot 23 deputetë kanë votuar kundër heqjes së imunitetit të Mediut, duke bërë të qartë një vullnet politik të konsiderueshëm deputetësh, që janë kundër zbardhjes së tragjedisë së Gërdecit. Duke llogaritur edhe numrin jo të pakët të deputetëve që nuk morën pjesë në seancën plenare gjatë votimit, mbi Kuvendin e Shqipërisë rëndojnë tashmë shumë pikëpyetje.
Kanë qenë 101 deputetë që votuan pro heqjes së imunitetit të ish-ministrit, ndërkohë që 13 të tjerë nuk morën pjesë në votim. Megjithatë, numri prej 101 votash i hap rrugën fillimit të procesit të hetimit penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes. Procesi i hetimit do të fillojë pikërisht 3 muaj pas tragjedisë së Gërdecit dhe rreth një muaj e gjysmë pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë seancës së djeshme ish-ministri Mediu e cilësoi veten të pafajshëm për tragjedinë e Gërdecit, ndërkohë që i cilësoi të pabazuara në prova akuzat e Prokurorisë së Përgjithshme.
Deklarata
Që në fillim të fjalës së tij Mediu bëri të ditur se miratimi i heqjes së imunitetit është thjesht një akt formal, pasi është deklaruar pa imunitet që në datën 15 mars, kur ndodhi ngjarja e Gërdecit dhe kur dha dorëheqjen nga posti i ministrit. Mediu bëri të ditur se ai kërkon më shumë se cilido që të zbardhet e vërteta për përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit. Ish-ministri i Mbrojtjes tha se demontimi i municioneve ka qenë dhe duhet të jetë prioritet i punës së Ministrisë së Mbrojtjes, pasi eliminon rrezikun e shpërthimit të mundshëm të një sasie të madhe municionesh, që ndodhen në të gjithë Shqipërinë, në kushtet e mungesës së sigurisë. Përsa i përket akuzës për përfitime ekonomike, Mediu tha se asnjë ministër para tij dhe as ai e ka konsideruar demontimin e municioneve si një çështje ekonomike, por si një çështje për eliminimin e rreziqeve. “Në përmbajtjen e kërkesës së Prokurorisë nuk do të gjeni asnjë provë direkte apo indirekte që procesin e demontimit e kam nisur për qëllime përfitimi”, - është shprehur Mediu, ndërsa ka bërë të ditur se nuk është takuar asnjëherë me pronarin e kompanisë “SAC”, Patrik Henri dhe se nuk ka asnjë lidhje me Delijorgjin. Mediu hodhi poshtë pretendimin e Prokurorisë, sipas të cilit, është shmangur përfshirja e strukturave ushtarake nga ky proces. Mediu bëri të ditur se çdo urdhër është hartuar në bashkëpunim me strukturat ushtarake dhe se procesi i transportit të armëve është bërë nga strukturat ushtarake. Ai tha se Gërdeci u përzgjodh si vend nga negociatat mes Shtabit të Përgjithshëm dhe “MEICO”-s.
Kuvendi
Ish-ministri i Mbrojtjes ka shprehur pakënaqësi për mungesën e interesimit të Kuvendit për të dëgjuar shpjegimin e tij për këtë ngjarje. Mediu tha se përveç Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet nuk pati asnjë kërkesë nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare për të dëgjuar ish-ministrin për këtë ngjarje. “Komisionet hetimore nuk u ngritën asnjëherë sepse nuk duan të vërtetën, por manipulimin politik. Por dhe Komisioni Parlamentar për Sigurinë në asnjë moment nuk pati guximin për të organizuar një debat për këtë çështje, për të marrë masat që të mos përsëritet më. S’kam pasur shans të shkoj në ndonjë komision parlamentar për të thënë të vërtetën”, - është shprehur Mediu. Gjatë fjalës së tij ish-ministri i Mbrojtjes vlerësoi punën e bërë nga Forcat e Armatosura dhe theksoi se strukturat e armatosura bënë të mundur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Gjithashtu Mediu tha se ka vepruar në nder të moralit të tij duke dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit, duke mos dëgjuar sugjerimet për të përdorur postin e tij për këtë ngjarje. Në përfundim Mediu theksoi se kjo ngjarje, sado e hidhur, nuk do të ndikojë në largimin e tij nga skena politike.
Nuk morën pjesë në votim:
Arben Malaj
Arenca Trashani
Rexhep Uka
Fatos Nano
Ndre Legisi
Dritan Prifti
Paskal Milo
Preç Zogaj
Andis Harasani
Votimi
101 vota pro heqjes së imunitetit
23 vota kundër heqjes së imunitetit
2 vota abstenim
2 vota të pavlefshme
17 Qershor 2008