LSI: Edi Rama të mos nxitohet me deklaratat mbi ngjarjen
Nënkryetarja e LSI-së për Tiranën, Blerina Kazaferi dënoi aktin kriminal të plagosjes së kryeinspektorit të Policisë Ndërtimore të Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja, duke kërkuar vënien para ligjit të autorëve. “LSI e dënon këtë akt kriminal dhe inkurajon organet e zbatimit të ligjit për një hetim të shpejtë e profesional, për të vënë para drejtësisë autorët dhe cilindo që mund të rezultojë i implikuar me ta”, deklaroi Kazaferi. Kazaferi shprehu keqardhjen për plagosjen e Ardit Kajës, duke uruar shërim të shpejtë të tij.
LSI fton Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të vetëpërmbahet e të presë përfundimet e hetimit. “Kryetari i Bashkisë të mos nxitojë të bëjë edhe policin, edhe prokurorin, edhe ekspertin, se përpjekjet për ta transferuar pistën e hetimit pa pritur përfundimet e hetimit, janë dëshmia më e qartë e panikut dhe e frikës për humbjen që e pret në zgjedhjet e 8 majit”, tha nënkryetarja e LSI-së për Tiranën. Kjo ftesë për vetëpërmbajtje erdhi pasi kryebashkiaku Rama akuzoi direkt LSI-në për ngjarjen, pasi sikundër deklaroi Rama, kryeinspektori Ardit Kaja u përball me dhunën dhe u plagos teksa kryente detyrën, për heqjen e flamujve të LSI-së nga shtyllat e ndriçimit të Tiranës.