Berisha: Treguesit ekonomik të lartë, do rrisim pagat dhe pensionet
TIRANË Duke iu referuar treguesve makro-ekonomik në vend, Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se qeveria që ai drejton është plotësisht e gatshme që të vijojë rritjen e pensioneve, dhe pagave të administratës. “Unë do e vlerësoja të një rëndësie shumë të veçantë performancën e të ardhurave, e cila krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, është shumë e mbarë. Kjo do të thotë se qeveria, duke respektuar plotësisht të gjithë treguesit e parashikuar makroekonomik, do të jetë në gjendje t’i përgjigjet pikë për pikë rritjes së pensioneve, rritjes së ndihmës ekonomike dhe rritjes së rrogave të administratës. Mendoj se ky është një lajm i gëzueshëm për 810 mijë familje shqiptare, në buxhetin e të cilave rrogat apo pensionet kanë kontributin kryesor familjar”, - tha dje Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Kreu i ekzekutivit njoftoi gjithashtu se do të heqë tarifat për mallrat e importuara nga sipërmarrjet fason. Po dje, për herë të parë në mbledhjen e grupit parlamentar morën pjesë edhe tre deputetët e rinj, Aurel Bylykbashi, Kosta Barka dhe Ndriçim Babasi.