E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Faturat e OSSH-së, vjedhje masive

Duke iu referuar faturimeve aforfe, Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi dje se do të ngrejë një komision qytetar për të verifikuar dhe asistuar qytetarët të cilët do t‘i drejtohen prokurorisë. Sipas nënkryetares Filloreta Kodra, prej kohësh qytetarët shqiptarë po përballen përveçse me varfërinë, edhe me vjedhjen sistematike dhe të hapur nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë. "Kjo vjedhje masive e xhepave të shqiptarëve është pranuar nga vetë OST, por ky konstatim nuk ka sjellë asnjë ndryshim në vjedhjen masive të qytetarëve të ndershëm që paguajnë faturat", theksoi ajo. LSI vlerëson se synimi i OST është që të përmirësojë gjendjen ekonomike të saj, duke grabitur qytetarët e duke stimuluar korrupsionin. Kodra këmbënguli se kjo situatë skandaloze ka vetëm një përgjigje: fillimin e hetimit nga prokuroria për këtë shpërdorim detyre të hapur dhe publike, ku dëshmitarë janë të gjithë shqiptarët. "Kryeministri Sali Berisha që ka bërtitur gjatë për korrupsionin, sot është zhytur totalisht në të, që nga Gërdeci e deri në xhepat e qytetarëve me faturat e energjisë me çmime astronomike", tha Kodra. LSI u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të denoncojnë në prokurori faturat hajdute të energjisë elektrike dhe të kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›