E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: “Ftesa në NATO, u realizua aspirata e shqiptarëve”



Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, ka përshëndetur në emër të LSI-së marrjen e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë për në NATO. Xhufi tha se marrja e ftesës është meritë e të gjithë shqiptarëve si dhe shprehje e vlerësimit të madh që partnerët ndërkombëtarë i bëjnë Shqipërisë. “Në emër të LSI-së, desha të shpreh kënaqësinë e jashtëzakonshme për këtë ditë të veçantë për popullin e kombin shqiptar, kur samiti i NATO-s i drejton Shqipërisë ftesën për anëtarësim. Sot materializohet ëndrra e burrave dhe e grave të shquar të këtij kombi, ëndrra e të gjithë shqiptarëve për ta parë Shqipërinë pjesë të botës së lirë. Sot krijohet një nyje e fuqishme, që e lidh vendin tonë në mënyrë përfundimtare me vlerat perëndimore të lirisë e të demokracisë. Ne gjykojmë se marrja e ftesës për NATO është para së gjithash një vlerësim që partnerët tanë i bëjnë vokacionit të pakthyeshëm europian e atlantist të popullit shqiptar, i cili nuk u thye kurrë as nga sakrificat, as nga zhgënjimet e as nga dështimet që na kanë rezervuar dhjetëvjeçarët e fundit të historisë sonë”, - tha Xhufi. Zëvendëskryetari i LSI-së vlerësoi edhe rolin e Forcave të Armatosura dhe kontributin e tyre në marrjen e ftesës së anëtarësisë. Xhufi tha se marrja e ftesës do të shtojë përgjegjësitë për politikën shqiptare, e cila duhet të realizojë standardet e kërkuara për të arritur anëtarësimin përfundimtar në NATO.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›