E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Integrimi i Shqipërisë mbetet prioriteti ynë

Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndeti dje deklaratat e drejtuesve dhe komisionerëve të Bashkimit Europian, që japin sinjale pozitive për integrimin e Shqipërisë. Zëdhënësi i LSI-së, Ralf Gjoni, deklaroi se kjo parti ka pasur dhe ka si prioritetin më madhor të saj integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe veçanërisht si një moment të parë të tij, liberalizimin e vizave dhe pranimin e statusit të vendit kandidat. "Në këtë kuadër, Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson dhe mbështet qëndrimet pa ekuivok të drejtuesit të radhës së BE-së, z.Karl Bild, i cili është shprehur qartë dhe pa lënë dyshime për një proces të shpejtë të liberalizimit të vizave për Shqipërinë", tha Gjoni. Me të njëjtat tone vlerësimi Gjoni u shpreh edhe për angazhimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, si dhe deklaratat e njëpasnjëshme të ish-komisionerit për Punët e Jashtme në BE, aktualisht ministër i Jashtëm i Italisë, z.Franko Frattini. "LSI përshëndet deklarimet shumë të qarta të zotit Frattini, i cili është shprehur se "Shqipëria nuk mund të presë më dhe se kërkesa e hershme e saj nuk duhet të mbetet mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel". Deklarata më e fundit e zotit Frattini për një samit të kryeministrave të BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor, ku të jenë të ftuar edhe SHBA-të, është padyshim një propozim shumë i rëndësishëm dhe tregues i qartë për një përfshirje në veprimin konkret edhe të Uashingtonit, për t‘i dhënë një mbështetje konkrete procesit të pandalshëm të integrimit të Shqipërisë në Europë", tha Gjoni. Ai bëri të ditur se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të kontribuojë pa reshtur në realizimin e objektivave madhore të integrimit dhe veçanërisht të liberalizimit të vizave, duke e konsideruar Europën si shtëpinë natyrale të të gjithë shqiptarëve, ku lëvizja e tyre individuale, por dhe më shumë se kaq, e biznesit dhe e kapitaleve, të bëhet një realitet në të mirë të shqiptarëve, si dhe një mundësi e rëndësishme për të kaluar me sa më pak dhimbje pasojat e krizës ekonomike botërore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›