E Shtunë, 31 Tetor 2026

Danaj: Dhuna e krimi në familje, problem shqetësues

Koordinatorja e Forumit të Gruas në Partinë Socialiste, Ermira Danaj, ka shprehur dje shqetësimin e kësaj partie për rastet e shumta të krimit dhe dhunës brenda familjes. Duke iu referuar disa ngjarjeve të ndodhura në disa zona të ndryshme të vendit, Danaj tha se krimi dhe dhuna në familje përbëjnë sot një fenomen shqetësues. “Krimi dhe dhuna në familje përbëjnë sot një nga fenomenet më shqetësuese për shoqërinë tonë. Dhe ajo që është më problematike, ka të bëjë me faktin se viktimat kryesore janë gratë, të cilat vazhdojnë të vuajnë dita-ditës, jo vetëm diskriminimin gjinor, përjashtimin nga tregu i punës, varfërinë ekstreme, vështirësitë në sistemin shëndetësor dhe arsimor, izolimin social, por edhe indiferentizmin total të shtetit në lidhje me dhunën dhe krimin në familje”, - tha Danaj. Më tej, ajo i bëri thirrje qeverisë të mos tregohet e shurdhët ndaj kambanave të vazhdueshme të dhunës në familje, por të punojë për parandalimin e këtij fenomeni, që po kthehet sot në plagën më të rëndë të shoqërisë. “Ne kërkojmë me forcë krijimin e një mjedisi ku dhuna të mos shikohet më si diçka normale, por si një akt që duhet ndëshkuar nga e gjithë shoqëria”, - shtoi me tej kreu i FGS-së në Partinë Socialiste. Në përfundim ajo bëri të ditur se Partia Socialiste dhe Forumi i Gruas Socialiste shprehin angazhimin e plotë në luftën ndaj çdo forme të dhune dhe diskriminimit gjinor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›