“Kundër” Edi Ramës, publikisht edhe Majko e Meidani

Sjellja politike e PS-së kundërshtohet nga disa prej eksponentëve kryesorë të saj. Majko kërkon që bojkoti në bashki të marrë fund, ndërsa Meidani thotë se Rama duhet të ishte larguar që pas humbjes më 2009-ën.
Ish-kryeministri Pandeli Majko deklaron se “vota që Partia Socialiste mori në zgjedhjet lokale e detyron atë të sillet me qytetari, ndonëse në opozitë”.
Bojkoti i përfaqësuesve socialistë në bashki vijon ndonëse kryebashkiaku Lulzim Basha i ka ftuar ata në vijimësi për të bashkëpunuar në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Por, Majko thotë se edhe kjo situatë do ndryshojë dhe se Edi Rama nuk është më në gjendje të mbajë gjallë frymën e bojkotit.
“Nuk kemi pse të bëjmë në Bashki gjëra të tilla të papëlqyeshme, sikurse ka bërë opozita e dikurshme në Bashki. Tani do të shohim një mazhorancë në Bashki, që do të kritikojë një sjellje të cilën dikur e ka bërë vetë. Por mendoj se fitorja e PS në qytetet kryesore të Shqipërisë, dhe këtu përfshij edhe Tiranën, në thelb na ka dhënë një peshë të madhe. Unë nuk dua të shmang rëndësinë e votës në fshat, por nuk dua të shmang kërkesën e njerëzve për normalitet”, tha më tej, deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko.
Drejtuesit socialistë të njësive vendore në Tiranë, thanë se bojkoti i takimit u bë pas sugjerimeve politike nga selia rozë. Nga ana tjetër, ftesat për gjithë kryetarët socialistë të minibashkive dhe anëtarët socialistë të këshillit bashkiak, nuk kanë munguar herë pas here nga kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, i cili ka kërkuar një bashkëpunim të frytshëm në shërbim të qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike. Në komunikimin e tij me mediat, Majko ka folur dhe për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese të Partisë Socialiste dhe sjelljen opozitare që kjo forcë do të aplikojë në sesionin e ri parlamentar. Majko thotë se strategjia e opozitës do të përcaktohet në 5 nëntor, me mbajtjen e kongresit të radhës të kësaj force politike.
Ai saktëson se forumi më i lartë nuk do të realizoje vetëm zgjedhjet e strukturave të reja, por do të përcaktojë edhe linjën që opozita do të ndjekë në raport me mazhorancën, si dhe programin e ri që do të përbëjë alternativën qeverisëse të socialistëve.
Në të njëjtën linjë me të qëndron edhe ish- presidenti i Republikës Rexhep Meidani. Ai deklaron se Edi Rama duhet të ishte larguar nga drejtimi i PS-së që pas humbjes në vitin 2009. Ish kreu i shtetit shprehet se është prononcuar kundër kandidimit të Ramës, siç bëri vetë Rama kur kundërshtoi rikandidimin e Nanos pas zgjedhjeve të 2005-ës. Po ashtu ai kundërshton edhe strategjinë politike të selisë rozë duke e cilësuar si retorikë pa përmbajtje.