LSI: Ligji i legalizimeve ka dështuar
Sekretarja Organizative, Gjikondi denoncon ndryshimet e fundit që qeveria ka bërë në ligj
TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar dje se ligji i legalizimeve është i dështuar dhe i hartuar tërësisht për qëllime elektorale. Dështimin e këtij ligjit, sipas LSI-së, e vërteton më së miri fakti që, në mbledhjen e parë për këtë vit, qeveria ka ndryshuar rreth 70 për qind të ligjit, duke ndryshuar strukturën thelbësore që shërben për zbatimin e tij dhe duke fshirë të gjitha afatet kohore të këtij zbatimi, që janë shkelur prej kohësh. Madje, LSI-ja thekson me shqetësim faktin se, me ndryshimet në fjalë, qeveria mënjanon krejtësisht strukturat e pushtetit lokal dhe kompetencat e tyre ia kalon Agjencisë së Legalizimit. "Të gjitha arkëtimet që do mblidhen nga ky proces, sipas ndryshimeve të bëra, do të kalojnë në duart e ALUIZNIT dhe jo të Njësive Vendore. Gjithashtu, janë fshirë të gjitha afatet kohore të përcaktuara me ligj për kompensimin e subjekteve privatë, të cilëve ju ishin zënë pronat nga ndërtimet pa leje. Në ligj përcaktohej se ZRPP-ja çdo tre muaj i dërgon qeverisë listën e subjekteve që do të kompensohen dhe ajo, brenda 30 ditëve merrte vendim për kompensimin e tyre. Rikujtojmë që afati i parë ish në 1 Dhjetor 2006, afat i cili sot e kësaj dite s'është zbatuar ende",- u shpreh dje Sekretarja Organizative e LSI-së, Brizida Gjikondi. Më shqetësim ajo vërejti se një tjetër afat që është fshirë jo pa qëllim nga qeveria, është ai që ka të bëjë me dhënien e lejes së legalizimit. Sipas Gjikondit, nëse më parë përcaktohej se ALUIZNI brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës dhe plotësimit të dokumentacionit pajiste subjektin me lejen e legalizimit, tashmë, me ndryshimet e bëra nuk jepet asnjë afat për këtë hallkë të rëndësishme të procesit. Në këtë kuadër, Gjikondi u shpreh se, këto ndryshime dhe shumë të tjera, bëjnë të qartë dështimin e këtij procesi. Ky dështim, shtoi ajo, nuk mund të fshihet as nga centralizimi politik që po i bëhet atij, as nga fshirja e afateve kohore dhe ligjore të detyrueshëm për t'u përcaktuar. "Nga një prononcim i fundëm i zotit Shaban Memia, i cili është dhe Drejtuesi i ALUIZNI-t, mësohet se qeveria e djathtë pretendon se ky proces do të përfundojë në mesin e viti 2009, ç'ka përkon me zgjedhjet parlamentare, ndaj jo pa qëllim LSI-ja është shprehur se ky ligj është ngjizur tërësisht veç për efekte elektorale",- është shprehur Sekretarja Organizative e LSI-së.