Qeveria, ndryshimet pas Samitit të Bukureshtit
Pavarësisht kërkesave të aleatëve dhe deputetëve të PD-së, kryeministri Berisha nuk do të ndryshojë kabinetin qeveritar, të paktën deri në muajin prill
Ndryshimet e mundshme në qeveri mund të ndikojnë negativisht në ecurinë e reformave dhe ndaj kreu i ekzekutivit nuk rrezikon për të kënaqur aleatët dhe deputetët demokratë
Berisha nuk do të ndryshojë qeverinë, vëmendja tek reformat për anëtarësimin në NATO
TIRANË- Të kërkuara nga deputetët e PD-së dhe nga aleatët e saj, ndryshimet në qeveri nuk do të ndodhin, të paktën deri në muajin prill, atëherë kur do të mbahet Samiti i Bukureshtit dhe vendi ynë pret të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Kryeministri, Sali Berisha, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të disa prej aleatëve, të cilave iu janë bashkëngjitur edhe kërkesa të deputetëve demokratë, nuk ka ndërmend të riformatojë kabinetin qeveritar, të heqë ndonjë prej ministrave apo të fusë në të emra të rinj. Burime të besueshme pranë Kryeministrit bëjnë të ditur për "Shekullin" se, për momentin, kreu i ekzekutivit nuk do të kryejë asnjë lëvizje në drejtim të ndryshimeve në qeveri dhe këtë qëndrim do të mbajë deri në muajin prill, kur në Bukuresht të Rumanisë do të zhvillohet Samiti, nga i cili Shqipëria pret dhe ftesë për t'u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut. Kjo pasi, në gjykimin e tij, vëmendja e qeverisë dhe e ministrave të saj duhet të fokusohet tek reformat që duhet të kryhen në këtë periudhë disamujore, të cilat kushtëzojnë dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, në përshpejtimin e ritmeve të tyre, në mënyrë që vendi të mos humbasë shansin e prillit për në Aleancën e Atlantikut. Burimet theksojnë se ndryshimet e mundshme në qeveri në këtë periudhë, para Samitit të Bukureshtit, mund të ndikojnë negativisht në ecurinë e reformave dhe ndaj kreu i ekzekutivit nuk rrezikon për të kënaqur aleatët dhe deputetët demokratë, për të ndryshuar qeverinë. Përveç ndonjë dorëheqjeje të mundshme, si e ajo e Ilir Rusmalit nga posti i ministrit të Drejtësisë pak muaj më parë, pra të ndonjë surprize në të papritur, burimet pranë kryeministrit Berisha përjashtojnë mundësinë që qeveria t'i nënshtrohet ndryshimit të emrave, largimit të qëllimshëm të ndonjë ministri, apo futjes së emrave të rinj nga radhët e PD-së apo administratës. Deri më tani, mjaft eksponentë të njohur të PD-së dhe të partive aleate janë shprehur mbi domosdoshmërinë e ndryshimeve në qeveri. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule është një prej aleatëve që publikisht ka kërkuar ndryshimin e qeverisë, ashtu siç e kanë kërkuar edhe deputetë demokratë. Sipas tyre, ndryshimet në qeveri duhet të bëhen edhe për shkak se, në vitin 2009 janë zgjedhjet e përgjithshme dhe e djathta duhet të përgatit për fitoren e tyre. Gjithsesi, vetëm pas zhvillimit
të Samitit të Bukureshtit, kur do të shihen dhe rezultatet e tij për Shqipërinë, të ardhmen e saj në NATO, kryeministri Berisha mund të mendojë seriozisht për të ndryshuar ministrat me të cilët qeveris vendin. Në atë periudhë ekziston mundësia më e mundshme për ndryshime në kabinetin qeveritar, duke qenë se edhe vetë situata brenda radhëve të Partisë Demokratike nuk duket aspak e qetë dhe lufta e klaneve brenda PD-së, sa vjen dhe bëhet më e dukshme dhe e ashpër. Pasi vendi ynë të marrë një përgjigje të qartë nëse do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO apo jo, kreu i ekzekutivit do të shqyrtojë të gjitha kërkesat e deritanishme për ndryshime në qeveri dhe mund të "kënaqë" disa prej tyre, duke ulur në këtë mënyrë edhe presionin gjithmonë në ngritje të aleatëve dhe të deputetëve të PD-së për këto ndryshime.