E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, kompensim në gjithë qarqet për 2008-ën

Zv/drejtori i AKKP-së, Genci Çelo tha se ndryshe nga vitet e kaluara, tashmë harta e vlerës së tokës ka përfunduar dhe shumë shpejt do miratohen në qeveri hartat për katër qarqet e mbetura
Fondi monetar për kompensimin këtë vit është 5 milion dollarë, por ndryshe nga viti i kaluar është parashikuar që të shtohen edhe të ardhurat nga legalizimi i ndërtimeve
Genci Çelo thotë se po punohet për kompensimin fizik, një proces i vështirë për t'u realizuar
TIRANË- Ndryshe nga viti që kaloi, për vitin 2008 kompensimi i subjekteve të shpronësuara do të bëhet për të gjithë qarqet e vendit dhe një gjë e tillë, bëhet e mundur për shkak të mbarimit të hartës së vlerës së tokës në të gjithë vendin. Nëndrejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Genci Çelo, ka bërë të ditur gjatë një prononcimi për mediat prioritetet e Agjencisë për këtë vit, duke shpjeguar edhe kriteret që do të ndiqen për kompensimin e ish-pronarëve përgjatë vitit 2008. Edhe për këtë vit, ashtu si vitin që sapo lamë pas, numri i subjekteve të shpronësuara që do të përfitojnë kompensimin pritet të jetë i njëjtë me atë të vitit 2007, duke qenë se fatura financiare e parashikuar në Buxhetin e Shtetit është sërish 500 milionë lekë të reja. Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Pronave, Genci Çelo thotë për median se, kriteret e kompensimit pritet të jenë të njëjta me atë të një viti më parë, por me ndryshimin e vetëm se, për 2008-ën procesi i kompensimit do të shtrihet në të gjitha qarqet e vendit. Këtë gjë Çelo e argumenton me faktin se, harta e vlerës së tokës është gati e përfunduar dhe kanë mbetur pa u miratuar nga qeveria hartat për katër qarqe, që sipas tij, do të kalojnë shumë shpejt në Këshillin e Ministrave. "Shpërndarja bëhet gjithmonë, sipas ligjit, brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti. Deri sivjet nuk janë shpërndarë brenda gjashtëmujorit për faktin se është pritur të mbarohet harta e vlerës. Harta e vlerës tashmë është mbaruar. Kanë mbetur vetëm pak qarqe, katër, që nuk janë të miratuara si vlera në Këshillin e Ministrave, por që besoj se duhet të miratohen brenda një periudhe të shkurtër",- është shprehur numri dy i Agjencisë së Pronave. Duke iu referuar kompensimit, Çelo ka nënvizuar se, edhe këtë vit ai do të jetë në formë monetare, në një kohë që grupi i punës është duke punuar edhe për formën e kompensimit fizik, duke qenë se ky, sipas tij, është më i vështirë për t'u realizuar. "Kompensimi monetar, duke qenë në vlera jo shumë të mëdha, është i qartë se bëhet gjithmonë i pjesshëm, jo për të gjithë pronën. Ka qenë deri në 200 m truall, por me krijimin e fondit të kompensimit fizik qëllon që bie dhe natyrisht që shumica janë të interesuar për të pasur prona të tjera. Pra, të mos kenë lekë, sepse edhe ato lekë dikush mendon që t'i kthejë në formën e pronës. Të kesh pronë, është më e këndshme",- tha Çelo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›