E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Fitorja e zgjedhjeve jo një qëllim në vetvete

Partia Socialiste ka mbyllur dje seminarin e saj treditor me kryetarët e saj lokalë në të gjitha qarqet e vendit. Në këtë seminar kryetarët socialistë të të gjitha degëve të vendit, kanë marrë nga drejtuesit e PS-së orientimet për punën në muajt e ardhshëm, duke u përqëndruar kryesisht në tre drejtime, në atë për vazhdimin e "Dialogut me Shqipërinë" dhe hartimin e programit, zhvillimin e zgjedhjeve në parti, si dhe përgatitjen e infrastrukturës së duhur për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parlamentare. Shefi i socialistëve, Edi Rama, gjatë këtij seminari u ka kërkuar drejtuesve socialistë të rrisin rritmin e punës jo vetëm në çështjet e strukturimit, por edhe në drejtim të hapjes së partisë për njerëzit. "Të ftojnë në të gjitha tryezat për programin, jo vetëm anëtarë të Partisë Socialiste, por çdo fermer apo çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë partiake",- është shprehur Rama gjatë ditës së fundit të këtij seminari. Edhe njëherë ai ka vënë theksin në faktin se socialistët duhet të kapërcejnë kufijtë partiakë dhe të krijojnë kushtet për krijimin e një aleance që del jashtë opozitës së sotme. " Shqiptarët janë ndarë me një barrikadë në mes, majtas dhe djathtas, ndërkohë që kjo është një ndarje të cilën ne duhet ta zhbëjmë",- u shpreh kryesocialisti Edi Rama gjatë fjalës. Gjithashtu, shefi i selisë rozë u ka kërkuar pjesëmarrësve në këtë aktivitet që të organizojnë tryeza reale të debatit për problemet që shtron Partia Socialiste, në mënyrë që të shkëputen nga formalizmat dhe dokumenti final i programit të jetë i vërtetë, pasi do të jetë ky program që do të përdoret të nesërmen e ardhjes së PS në pushtet. "Fitorja e zgjedhjeve nuk është një qëllim në vetvete, por është një mjet për të vënë në jetë programin e ndryshimit të Shqipërisë. Fitorja e zgjedhjeve na duhet për të krijuar mundësinë që ato që ëndërrojmë, dëshirojmë, ato që janë nevoja, kërkesa dhe ambiciet e bashkëqytetarëve tanë, të bëhen realitet",- u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›