LSI, Manjani: Ftojmë Ramën të pranojë rezultatin, qytetarët votuan për Lulzim Bashën

LSI i sugjeron PS-së që pretendimet për rezultatin zgjedhor të Tiranës, t’i drejtojtë në organet gjyqësore Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot ndaj deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi i cili theksoi se mazhoranca kërkon të manipulojë procesin dhe tejzgjatjen e tij deri në ripërsëritjen e zgjedhjeve.
Në një konferencë për shtyp sekretari për çështjet ligjore në LSI Ylli Manjani theksoi se humbja e Ramës në Tiranë ka nxitur drejtuesit e PS-së të ndërmarrin një betejë për prishjen e procesit zgjedhor.
“Qëllimi i Ramës dhe i drejtuesve të tjerë të PS-së është që t’i imponohet publikut teza e përsëritjes së zgjedhjeve. Rama kërkon të ngulë pabesisht një thikë në shpinën e procesit zgjedhor”- theksoi Manjani.
Ai gjithashtu i bëri thirrje kreut të PS-së Rama të pranojë rezultatin dhe faktin që doli në opozitë dhe t’i drejtohet gjykatës nëse ka kontestime për rezultatin.
“Ftojmë Ramën të qetësohet, të pranojë rezultatin dhe faktin që doli në opozitë dhe t`i kthehet jetës instiucionale. Qytetarët nuk ia kanë përborxh që të shprehin përbuzje për votën e tyre pasi vullneti u tyre u numërua në mënyrën më transparente”- deklaroi më tej sekretari për çështjet ligjore në LSI, Ylli Manjani.
Deklarata e plotë për shtyp e Ylli Manjanit
124 786 zgjedhës të bashkisë Tiranë, kanë vendosur të nxjerrin në opozitë, për herë të parë zotin Edi Rama. Ky fakt i njohur publik, bashkë me tërbimin personal të zotit Rama, ka nxitur edhe drejtuesit e tjerë të Partisë Socialiste në një betejë për prishjen e procesit zgjedhor. Shpresa e tyre e vetme është që të imponohen publikut, institucioneve dhe oninionit ndërkombëtar me tezën e përsëritjes së zgjedhjeve. Dmth, është njësoj sikur Manchester United të kërkojë përsëritjen e ndeshjes finale të mbrëmshme vetëm sepse e humbi.
Nuk ka asnjë një lloj vaji dhe as uthulle që të bëjë të gëlltitshëm pozitën groteske të zotit Rama dhe të drejtuesve të lodhur të partisë Socialiste. Dje dëgjuam teorinë tjetër, sipas të cilës meqë numri i votave është më i madh se numri i votuesve, zgjedhjet janë të papranueshme dhe se për këtë fakt fajin e ka KQZ. Ky formulim i bërë jashtë institucioneve të shtetit është në fakt është në fakt thikë që zoti Rama kërkon të ngulë me dëshpërim në shpinën e procesit zgjedhor. Të gjitha mandatet që gjatë këtyre 20 viteve kanë fituar Si Ruci ashtu edhe Rama, ka patur mospërputhje të numrit të zgjedhësve që kanë votuar me numrin e votave që gjetura në kuti. Në këto zgjedhje ky mosrakordim është qartësisht i reduktuar.
Në rastin e bashkisë Tiranë gjetja e fletëve të votimit ne kutinë e gabuar e sqaron më së miri përrallën e mos rakordimit të shifrave, të cilën nuk e beson as vetë Rama. Është e vertetë që fletet e votimit të gjetura në kutinë e gabuar janë tepër për këtë të fundit, por është gjithashtu e vërtetë se po të njëjtat fletë janë mangut në kutinë e duhur. Por PS-së nuk i intereson kjo e fundit, sepse në fakt nuk i intereson vota e qytetarëve, por vetëm fitorja e kryetarit.
Ka edhe një fakt tjetër që as Rama e as Ruci nuk e përmendin qëllimisht. Fleta e votimit është dokument zyrtar shumë i mbrojtur. Përvec elementëve të sigurisë që parashikon Kodi Zgjedhor, këtë herë me kërkesën e Partisë Socialiste, KQZ i dha të drejtë Kryetarit dhe Nënkryetares (kjo e fundit e deklaruar haptas në favor të zotit Rama) të vendosin një shenjë të fshehtë në fletën e votimit. Për asnjërën nga fletët e numëruara nënkryetarja nuk kontestoi mungesën e shenjës që e di vetëm ajo.
Prandaj dëshirojmë të ftojmë zotin Rama dhe të tjerët rreth tij, të qetësohen dhe të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Të pranojnë faktin se Kryetari i Partisë Socialiste doli në opozitë për herë të parë dhe ti kthehen jetës institucionale në këtë vend. Qytetarët e Tiranës dhe të gjith Shqipërisë nuk ja kanë për borxh as Ramës e askujt tjetër përbuzjen e vullnetit, që e shprehën qetsisht, paqsisht dhe demokratikisht më datën 8 Maj. Ky vullnet u lexua publikisht, qartësisht dhe brenda një procesi të rregullt ligjor të sigurtë dhe me integritet.
Ky shtet ka institucione, ka edhe gjykata që kanë për detyrë të trajtojnë cdo shqetësim të palëve që konkurrojnë në zgjedhje. Kushdo që ka një problem bën mirë ti paraqesë para institucioneve. Të tjerat janë pallavra që harrohen shpejt!