E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Mocion me Berishën

Tiranë -Grupi parlamentar e “E Majta për Integrim” do të dërgojë të hënën në Kuvend një kërkesë për mocion me debat me Kryeministrin Sali Berisha. Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti bëri të ditur se një kërkesë e tillë vjen pas gjendjes së rëndë të krizës ekonomike në të cilën ndodhet vendi. “LSI gjykon se vendi është në një situatë shumë të vështirë ekonomike. Të paktën 50 për qind e shqiptarëve sot janë prekur nga kriza aktuale financiare, e cila në Shqipëri është kthyer në një krizë ekonomike, në një krizë mbijetese dhe ne dëshirojmë t’i tërheqim vëmendjen Qeverisë dhe të debatojmë me Kryeministrin në lidhje me këtë situatë, për ta bindur atë që Shqipëria vërtet po kalon një krizë”-theksoi Prifti.

Sipas tij, kriza nuk duhet mohuar, por kriza duhet zgjidhur, duke nënvizuar se kriza aktuale në Shqipëri, si pensionistët apo edhe fshatit, kanë nevojë për zgjidhje.

“LSI ka paraqitur gjatë javës së fundit në media një paketë të saj antikrizë. Ne do të riparaqesim këtë paketë gjatë mocionit me debat me Kryeministrin, sigurisht nëse ai do të pranojë të vijë në Kuvend, për të bërë detyrën e tij, për t’ju përgjigjur opozitës dhe për të debatuar për situatën e rëndë ekonomike që kalon vendi”-tha më tej deputeti i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›