E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Pesë shtyllat e qeverisjes me PD-në

Pas mandatimit të kryetarit Ilir Meta për të nisur negociatat me Kryeministrin Berisha për bashkëqeverisjen me PD-në, LSI-ja ka bërë publike dje edhe pesë pikat kryesore ku do të bazohet ky bashkëpunim. Nëpërmjet Edmond Haxhinastos, LSI-ja deklaroi se për të nxjerrë vendin nga kriza politike dhe për të vazhduar proceset integruese, puna duhet të bazohet në pesë pika kryesore: së pari, duhet punuar për të dalë nga kriza ekonomike; së dyti, duhet të realizohen të gjitha reformat e kërkuara për integrimin europian të vendit; së treti, duhet të realizohet premtimi i dhënë për lëvizjen e lirë të njerëzve drejt BE-së; së katërti të realizohet reforma zgjedhore, duke nisur me ndryshimin e Kodit Elektoral; dhe objektivi i pestë mbetet realizimi i reformës në sistemin e drejtësisë, një reformë e cila ka më se dy vjet që tërhiqet zvarrë nga muaji në muaj, pa arritur dot të përfundojë dhe të marrë miratimin e Kuvendit për të hyrë në fuqi. Sipas drejtuesit të LSI-së, Konventa e kësaj force politike e zhvilluar dy ditë më parë miratoi një rezolutë për pjesëmarrjen e LSI-së në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, si dhe ka mandatuar kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, të negociojë me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për krijimin e koalicionit të ri qeverisës. Haxhinasto theksoi se Konventa vlerësoi vendimin e LSI-së për pjesëmarrje në koalicionin qeverisës si alternativën e vetme për të garantuar stabilitet politik në vend dhe për të vazhduar proceset integruese. Gjashtë ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, kur ende nga KQZ-ja nuk ishte shpallur rezultati përfundimtar për forcën fituese, por kalkulimet i jepnin përparësi PD-së, kryetari i kësaj force politike, njëherësh edhe Kryeministër i vendit, në një dalje publike i bëri ftesë kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, që të pranonte të bëhej pjesë e qeverisjes së vendit për katër vitet e ardhshme. Ftesë së cilës iu dha një përgjigje pozitive nga kreu i LSI-së dy orë më vonë, po nëpërmjet një konference për shtyp. Ky bashkëpunim mes PD-së dhe LSI-së nuk u prit mirë nga partitë e tjera opozitare. E para që reagoi ashpër, duke e quajtur tradhtar Ilir Metën, ishte PS-ja nëpërmjet kryetarit të saj, Edi Rama. Më pas ishin krerët e partive të tjera të vogla, si Gjinushi e Milo, të cilët po ashtu nuk e mbështetën këtë vendim të kreut të LSI-së. Por Ilir Meta nuk hasi vetëm në kundërshtinë e partive të së njëjtit kamp opozitar, por edhe të vetë disa nga drejtuesit kryesorë të partisë që ai drejton. Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Sabit Brokaj, por edhe Ndre Legisi janë shprehur kundër, duke thënë se vendimi i kryetarit Meta ishte i nxituar dhe i pakonsultuar me strukturat drejtuese të partisë. Por, pavarësisht qëndrimeve kundër, Meta duket i vendosur për ta çuar deri në fund betejën e re për të bashkëqeverisur me Sali Berishën. Tashmë pritet vetëm të nisin zyrtarisht negociatat mes Metës dhe Berishës për të përcaktuar konkretisht se cilat do të jenë ministritë që kreu i LSI-së Meta do të pranojë të drejtohen prej njerëzve të tij. Deri më tani është thënë jo zyrtarisht se LSI-ja pritet të marrë drejtimin e Kuvendit, Ministrisë e Shëndetësisë, si edhe atë të Energjetikës.

Konstatimi

"Nuk censuruam zërat

kundër, probleme teknike"

Ndryshe nga sa ka ndodhur me kryetarin Meta dhe disa drejtues të tjerë të lartë të LSI-së, në Konventën e para dy ditëve është ndërprerë transmetimi i drejtpërdrejtë në kohën kur kanë folur zërat kundër, Xhufi dhe Klosi. Mediat komentuan se kjo u bë qëllimisht, por drejtuesi i LSI-së, Haxhinasto, i kundërshtoi këto deklarata, duke u justifikuar me argumentin se pati vetëm një pamundësi teknike, gjë e cila më pas u zgjidh. Sipas Haxhinastos, Konventa ishte një shembull i qartë i funksionimit të demokracisë së brendshme në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe pasqyrë e hapësirave për shprehjen e mendimit ndryshe dhe për respektimin e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›