PS: PD abuzoi me qendrat e votimit në ambientet private
Partia Socialiste po evidenton parregullsitë e procesit zgjedhor në Qarkun e Tiranës, duke deklaruar se është manipuluar vullneti i zgjedhësve përmes vendosjes së KZAZ-ve në ambiente private. Nëse për Beratin është kërkuar rivlerësimi i votave të shpallura të pavlefshme, për Fierin kërkohen të numërohen nëntë kutitë ende të pahapura, ndërsa për Shkodrën ekzistojnë procesverbale me zero vota për PS-në, ndërsa në Qarkun e Tiranës problemet që janë evidentuar janë ambientet private. Sipas kandidatit për këtë qark, Namik Dokle, në bazë të verifikimeve të bëra, duke qenë se pronarë të tyre janë militantë të PD-së, janë manipuluar votat që i takojnë Partisë Socialiste. Ndërkaq, selia rozë rikonfirmoi edhe dje vendosmërinë e saj për të mos i njohur zgjedhjet në rast se mandati i nëntë i Fierit nuk do t‘i njihet kësaj partie. Zëdhënësja e partisë, Armela Imeraj, tha se PS-ja do t‘i shkojë deri në fund betejës kundër koalicionit Berisha-Meta, që kërkon t‘u vjedhë mandatin e Fierit. Sa u përket qendrave të votimit, apo numërimit të votave në ambientet private, Dokle, nga ana e tij, deklaroi se është vepruar në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Përderisa, sqaroi ai, në të përcaktohet qartë se qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe VNV-ve nuk mund të krijohen në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi pjesërisht ose tërësisht të një partie politike, apo kandidati ose të afërmve të tij. Sipas tij, vetëm në Qarkun e Tiranës ishin 27 qendra votimi në lokale të militantëve apo drejtuesve lokalë të Partisë Demokratike, ku shumica e tyre ishin në zonat periferike të Tiranës dhe 19 prej të tyre ishin në ZAZ 56 të Kamzës dhe Bathores. Për të provuar konstatimin e PS-së, Dokle paraqiti para mediave shifra konkrete, duke bërë një krahasim të rezultateve mes dy partive në ambientet publike dhe private. Sipas Dokles, në 19 prej këtyre qendrave në Kamzë, rezultati ka qenë -3926 vota, pra plus për PD-në, ndërkohë që në qendrat e votimit të vendosura në lokale publike, ka qenë një rezultat i ekuilibruar, ose në favor të PS-së. Për shembull, në qendrat e votimit të qytetit të Kamzës, në 6 qendra votimi të vendosura në lokale private diferenca ishte 1156 vota në favor të PD-së, ndërsa në 6 qendra votimi të vendosura në mjedise publike, rezultati ishte 134 vota në favor të PS-së. Në 6 qendra private, PD-ja ka marrë më pak se sa në 11 qendra votimi publike, çka sipas Dokles, tregon se në këto qendra votimi në lokale private me militantë të PD-së, janë bërë manipulime të shumta. Dokle përmendi edhe Valiasin, në 3 qendrat e votimit të vendosura në objekte private, diferenca është 796 vota në favor të PD-së, ndërsa në dy qendra të tjera po të Valiasit, diferenca është 52 vota. Ky fenomen, tha zyrtari i lartë i PS-së, është vërejtur edhe në shumë qendra të tjera në Paskuqan, Kavajë e në të gjithë Shqipërinë.