Malaj: Forumet e partisë do të analizojnë rezultatin
Ende nuk ka një rezultat final të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe për këtë arsye nuk është momenti të diskutohet për largimin ose jo të Edi Ramës nga kreu i Partisë Socialiste. Kështu u shpreh deputeti socialist, Arben Malaj, në emisionin "Studio e Hapur", por në të njëjtën kohë ai e vlerësoi si një shembull të mirë për politikën dorëheqjen e Fatos Nanos pas humbjes së socialistëve në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës. "Unë mendoj se zoti Rama është miqësor me median për të qenë prezent vetë në media. Nuk besoj se është ky momenti që debati publik duhet të fokusohet. Për shkak të përgjegjësive në Partinë Socialiste, tha ai, dhe për shkak të eksperiencave të PS-së, besoj se nuk është momenti të flasim për supozime çfarë do të ndodhë dhe aq më tepër nuk më takon mua të flas në emër të të tjerëve. Besoj se veprimi i Nanos është vlerësuar si një veprim modernizues në funksionimin e PS-së dhe si një shembull i mirë në politikën shqiptare", u shpreh Malaj. Të gjithë forumet e partisë, tha Malaj, do të mblidhen dhe do të analizojnë rezultatin. Duke iu referuar angazhimit të tij në garat brenda partisë, Malaj tha: "Vendimet e duhura në kohën e duhur, por ju garantoj vetëm një gjë, që çdo angazhim do të jetë pozitiv, për t‘u bërë pjesë e maksimizimit të energjive pozitive që ka PS-ja në tërësinë e saj dhe jo si një garë individuale, për një sfidë individuale. Besoj që në politikë secili ka detyrimin të jetë aktiv dhe jo thjesht shikues lajmesh", tha Malaj. Realisht, vijoi ai, kam mbetur i zhgënjyer nga gjuha e përdorur, nga vullneti për t‘i etiketuar udhëheqësit e Partisë Socialiste. Duke folur për të ardhmen e së majtës, Malaj nuk përjashton që LSI-ja të afrohet me Partinë Socialiste, pasi Meta nuk mund ta ndryshojë dot Kodin Elektoral vetëm me votat e Partisë Demokratike.