E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët dorëzojnë ankimimin e parë në KQZ, sot priten të tjera

Partia Socialiste bën gati dosjen e ankimimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Katër qarqe, Fieri, Shkodra, Tirana dhe Berati kanë shanset për t‘u ankimuar lidhur me problematikën e vërejtur dhe pritet dorëzimi i tyre në institucionin që menaxhon zgjedhjet. Një veprim i tillë u bë mbrëmë në orët e vona për Qarkun e Fierit, ndërsa sot do të ketë një vendim edhe për qarqet e tjera. Pasditja e djeshme ishte mjaft intensive në takime me sekretarin për çështjet ligjore Fatmir Xhafaj, nënsekretarin Damian Gjiknuri, avokatin Eno Bushi, të cilët kanë marrë dhe riparë materialin, problemet, mundësitë e ankimimit për çdo shqetësim që ka ardhur nga mbështetës, kandidatë etj., gjatë gjithë procesit zgjedhor. Burimet nga selia rozë konfirmojnë se ankimimet kanë të bëjnë me KZAZ, KQZ apo GNV të ndryshme, por Fieri dhe Berati janë mjaft të rëndësishëm, për shkak se përmes këtyre ankimimeve selia rozë pret të përmirësojë rezultatin. Burimet saktësojnë se deri më tani katër janë ankimimet zyrtare të kësaj partie, por duket se puna e juristëve nuk mbaron këtu. Departamenti juridik, i krijuar enkas në këtë situatë postzgjedhore, po shqyrton një për një të gjitha shkeljet që mund të përkthehen në një ankimim ligjor pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Fieri, qarku më problematik, për shkak të 9 kutive ende të panumëruara, është fokusi kryesor i juristëve. Pas vendimit të KQZ-së për të miratuar tabelën përfundimtare të rezultateve, selisë rozë i mbetet vetëm një rrugë që të arrijë të numërohen nëntë kutitë, ajo e ankimimit të vendimit që nuk përfshin rezultatin e këtyre 9 kutive. Partia Socialiste konsideron se nëse hapen kutitë, për pak vota konfirmohet se i takon ky mandat. Zyrtarisht, pa rezultatin e këtyre 9 kutive, produkti është 8 deputetë për "Bashkimin për Ndryshim", 6 deputetë për "Aleanca e Ndryshimit" dhe një për "Aleanca Socialiste për Integrim". Sa i përket Beratit, kandidati i selisë rozë, Erjon Braçe, synon t‘i shtojë mandatin e pestë kësaj partie në këtë qark. Ashtu si Fieri, edhe në këtë rast socialistët thonë se mandati i pestë konfirmohet edhe për pak vota, por ndryshe nga qarku tjetër, në Berat nuk ka kuti të panumëruara. Dyshimi i socialistëve që ua ka mohuar deri më tani deputetin e pestë janë votat e shumta të shpallura të pavlefshme. Pritet që PS-ja të ankimojë vendimin e KZAZ numër 1, 2, 3, duke kërkuar rivlerësimin e më shumë se 3 mijë votave të konsideruara të pavlefshme. Duke kaluar te Qarku i Shkodrës, dy ditë më parë kryesuesi i kësaj liste, Ilir Beqja, shprehu të gjitha kontestimet dhe parregullsitë në këtë qark. Ndryshe nga dy të parët, në këtë qark selia rozë nuk shpreson se mund ta ndryshojë rezultatin. Kërkesa e tyre lidhet me rinumërimin, sidomos në ato raste ku PS-ja del me zero vota në procesverbale. Sa për Tiranën, e cila ka pasur një proces më të qetë zgjedhor në krahasim me qarqet e tjera, kontestimi mbetet te një prej ngërçeve më serioze të këtij procesi zgjedhor, tek ambientet private. Para zgjedhjeve, KQZ-ja miratoi një draft, ku rreth 500 KQZ do të ngriheshin në ambiente private, ndërsa Kodi këmbëngul tek ambientet publike. Kontestimet më serioze janë fokusuar te KZAZ e Kamzës, ku më parë, përfaqësuesi juridik i PS-së, Genci Gjonçaj, ka treguar foto të një ambienti privat, në të cilin vareshin slogane dhe flamuj të PD-së, ndërsa ishte parashikuar që në po atë vend të ngrihej qendra e votimit.

Rezultatet

KQZ miraton tabelën

për Qarkun e Tiranës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje me katër vota pro dhe tre kundër tabelën përmbledhëse të rezultateve për zonën zgjedhore të Qarkut të Tiranës. Tre anëtarët e majtë në këtë komision votuan kundër, për shkak se nuk kishte një vendimmarrje nga komisionerët përkatës në KZAZ numër 46, 51, 54, 60. Njëkohësisht janë edhe dy KZAZ, ku në tabelën e rezultateve nuk ishin përfshirë respektivisht nga një kuti votimi, pasi janë shpallur të pavlefshme. Subashi kërkoi të kishte një vendimmarrje për këto 2 kuti, fletët e të cilave nuk ishin përfshirë në rezultatin përfundimtar, si dhe u shpreh që KQZ-ja duhet të kishte vepruar kështu edhe për rastin e Fierit. "KQZ-ja nuk është kompetente për ta miratuar tabelën, sepse i referohet nenit 35, pika 5 e Kodit Zgjedhor, i cili thotë se mungesa e një vendimmarrje në KZAZ merret në kompetencën e KQZ-së vetëm në rastet kur KZAZ-ja i jep kompetencën KQZ-së për të marrë vendimmarrjen e munguar të KZAZ-së. Në këtë fazë të procesit kjo vendimmarrje nuk është në kompetencë e KQZ-së", u shpreh nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Ndërkohë, anëtari i Partisë Republikane pranë KQZ-së, Klement Zguri, tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka të drejtë të miratojë tabelat, ndaj nuk ka nevojë për të ndryshuar asgjë. Në tabelën përmbledhëse të rezultateve të Qarkut të Tiranës nuk ishin të përfshira disa qendra votimi, për përfshirjen e të cilave insistuan nënkryetarja Subashi dhe përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjoncaj. Ashtu si në rastin e Fierit, tashmë Partisë Socialiste i mbetet vetëm rruga e ankimimit në KQZ, për përfshirjen e këtyre kutive në tabelën e rezultateve përmbledhëse. Sakaq, Komisioni Qendror miratoi dje pasdite edhe tabelën përfundimtare të Qarkut të Elbasanit me katër vota pro dhe dy kundër. Edhe në këtë qark pati kontestime nga ana e anëtarëve që përfaqësojnë të majtën, për shkak se kishte kuti votimi që nuk ishin përfshirë nga KZAZ-ja në tabelën përfundimtare të rezultateve. Sot pritet që të miratohen Vlora dhe Lezha, ndërsa kreu i KQZ-së deklaroi se në mbledhjen e paradites do të merret vendimi për ndarjen e mandateve për Qarkun e Korçës dhe Kukësit. Njëkohësisht, KQZ-ja mori disa masa për të përgatitur procesin zgjedhor të Komunës Ballagat, që pritet të zhvillohet në datën 2 gusht. KQZ-ja hodhi shortin për anëtarin e 7 të KZAZ-së, short që përcaktoi se ai do t‘i takojë Partisë Demokratike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›