E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: PS iu nënshtrua bastit personal të Ramës

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha për BBC-në se vendimi për të bashkëpunuar me PD-në për krijimin e koalicionit qeverisës i shërben vendit, por edhe seriozitetit dhe identitetit të LSI-së, e cila në radhë të parë është në funksion të integrimit europian të vendit. Meta përsëriti akuzat në adresë të lidershipit të PS-së, për atë që ai e quan përpjekje për asgjësimin korruptiv të LSI-së gjatë këtij procesi zgjedhor. Duke iu referuar marrëveshjes me Berishën, ai tha se "nuk kemi bërë asnjë bisedim deri tani, përveçse kemi dhënë një përgjigje ‘Po‘ në parim për bashkëqeverisje me PD-në si fituese e këtyre zgjedhjeve, me qëllim realizimin e një qeverisjeje të qëndrueshme dhe në funksion të reformave të integrimit europian". Në ditët në vijim, shtoi ai, besoj se do të kemi një takim të parë me kryetarin e PD-së dhe natyrisht fokusi kryesor do të jetë në programin e koalicionit qeverisës. "Ndërsa për sa u takon funksioneve, kjo mendoj që është një çështje sekondare", tha Meta. Teksa iu referua zërave kundër brenda partisë, kreu i LSI-së tha se "ka dy zëra kundër që ne i respektojmë, do donim të kishim një propozim për rrugëzgjidhjen sepse doli qartë që LSI-ja ishte para dy alternativave, ose të bashkëpunonte me PS-në, e cila ka një përgjegjësi të madhe për cenimin e standardeve, duke futur vendin në një proces krize, ose të bashkëpunonte me koalicionin fitues për të realizuar një qeverisje të qëndrueshme dhe në dobi të integrimit europian të vendit". Pra, vijoi ai, edhe ata dy zëra kundër, edhe pse unë iu luta aty në Konventë, nuk na dhanë dot as edhe një zgjidhje tjetër dhe nuk na sqaruan një rrugë të tretë përveç këtyre të dyjave. "Pa diskutim që kjo është rruga më e drejtë, ku duhet të eci LSI-ja, sepse i shërben vendit, por natyrisht besoj që do i shërbejë dhe seriozitetit dhe identitetit të LSI-së, e cila në radhë të parë është në funksion të integrimit europian të vendit", konstatoi Meta. Shprehje të tilla si tradhtar, tha ai, janë të denja për një politikan të politikës së re si Gramoz Ruçi. "Ka qenë një ndër ekzekutorët kryesorë të skenarit të z. Rama, për asgjësimin korruptiv të LSI-së gjatë këtij procesi zgjedhor. Tradhti është që në këto momente të rëndësishme të inskenosh destabilizim të vendit sikurse bën z. Ruçi dhe sikurse u përpoq të bënte edhe në Fier pas zgjedhjeve", nënvizoi Meta. Tradhti ndaj së majtës është, tha ai, të vazhdosh t‘i shërbesh një klike ndërtuesish dhe mafiozësh në PS, sikurse bën Gramoz Ruçi dhe jo të reflektosh për këtë humbje të thellë, e cila më shumë se sa numerike është morale e politike, pasi një parti e tërë me vlera shumë të mëdha si PS, u bë pjesë e një basti personal të Edi Ramës, që nuk ka asnjë lidhje me vlerat tradicionale të PS-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›