Nxënësit e shkollave të dobët, 44% s’duan të lexojnë
zirina llambro
Nxënës të dobët që në këmbim të librave gozhdohen para televizorit e kompjuterit. Për rrjedhojë, mangësi në formimin e tyre me shprehi e njohuri, të cilat do t’i kenë të domosdoshme më vonë. Nuk bëhet fjalë vetëm për ato tekste, të cilat duhet t’i mësojnë me detyrim në shkollë. Adoleshentët shqiptarë duket se nuk e kanë fort dëshirë të lexuarin në përgjithësi. Janë tejet të informuar mbi tipat e fundit të celularëve që qarkullojnë, apo për sajte të ndryshme në internet, ndërsa për autorë e shkrimtarë që brezat e mëparshëm në moshën e tyre i njihnin në majë të gishtave nuk dinë të të thonë shumë. Pasojat e kësaj “krize” në marrëdhënie me librin, janë të pakthyeshme. Mangësitë i pranon vetë Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Në strategjinë kombëtare të arsimit parauniversitar, në katër vitet e ardhshme është bërë një panoramë e situatës aktuale. Madje, duke iu referuar të dhënave të ndërkombëtarëve. Në një testim të kryer nga programi ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, Shqipëria paraqitet mjaft dobët. Rreth 44% nxënësve pesëmbëdhjetëvjeçarë rezultojnë të kenë arritje tepër të ulëta përsa i përket leximit. Brenda ambienteve shkollore nga sa thuhet nw strategji, për vetë mënyrën si janë ndërtuar kurrikulat interesi i të nxënit ka shënuar rënie të ndjeshme. “Një nga shkaqet e nivelit të ulët të përvetësimit të dijeve shkollore nga një masë e madhe nxënësish është mungesa e interesit të këtyre të fundit për mësimin. Është e nevojshme që të përshtatet përmbajtja kurrikulare dhe procesi mësimor me kërkesat e zhvillimit. Gjithashtu, normalizimi i ngarkesës është një objektiv që duhet të realizohet si përmes eliminimit të materialit të panevojshëm, ashtu edhe nëpërmjet konsolidimit të mëtejshëm të reformës kurrikulare”, thuhet në dokumentin e MASH.
Pasiviteti
Sipas ekspertëve të arsimit duhet të ndërhyhet në mënyrë që kurrikulat të orientohen nga cilësia e mësimdhënie-mësimnxënie, duke iu siguruar nxënësve kohë të mjaftueshme për stimulimin e të menduarit të pavarur, kritik e krijues. Gjithaq, duhet të kultivohen shprehitë e punës në grupe. Një tjetër problem që evidentohet si shkak i uljes së nivelit të cilësisë së mësimit në shkolla është mbipopullimi i klasave. Ndonëse drejtuesit e ish-drejtuesit e MASH kanë trumbetuar me forcë se përmirësimet në këtë drejtim janë të ndjeshme, në qytetet e mëdha klasat vijojnë të dynden nga nxënësit. Me të tilla kushte nxënësit bëhen pasivë që në bankat e shkollës, duke mos iu dhënë mundësi të ngrihen në mësim aq sa duhet, por të testohen vetëm me shkrim. ”Reagimi i ngadaltë i sektorit publik ndaj migrimit të popullsisë, ka bërë që shkollat në qytetet e mëdha të punojnë mbi kapacitetin e tyre”, thuhet në strategji. Përkundër kësaj, në disa zona rurale raporti nxënës/klasë dhe nxënës/mësues është shumë i ulët dhe infrastruktura e dobët e transportit nuk mundëson përqendrimin e shkollave. “Situata në shkolla paraqet mangësi si në materialet didaktike, në pajisjen me biblioteka, ashtu edhe në mirëmbajtje. Kjo infrastrukturë fizike duhet përmirësuar në vijim”, sqarojnë ekspertët e arsimit. Sipas tyre, krijimi i kushteve të përshtatshme në shkollë përbëjnë nxitësin kryesor për të pasur nxënës të përgatitur.