E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Qeveria në kolaps për pronat dhe legalizimet

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se, Kryeministri dhe maxhoranca kanë tërësisht jashtë kontrollit situatën e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe procesin e legalizimeve. 

 Zv/Sekretarja e Përgjithshme e LSI, Brizida Gjikondi, përmes një deklarate për shtyp, tha se Kryeministri Berisha ka dështuar si në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave ashtu dhe në atë të legalizimeve. "Aktualisht procesi i Kthimit dhe Kompensimit të ish-pronarëve ka hyrë në një kaos dhe kolaps total po ashtu dhe ai i Legalizimeve" tha Gjikondi duke shtuar se "kurrsesi maxhoranca në pushtet s'mund t'i zgjidhë këto fenomene të mbivendosura ndërmjet tyre dhe me të njëjtin akt ligjor". Zv/Sekretarja e Përgjithshme e LSI akuzoi Kryeministrin Berisha se me deklaratat e tij po stimulon vëllavrasjen mes pronarëve dhe zaptuesve të tokave. "Përherë Kryeministri duke anashkaluar përgjegjësitë totale që ka përballë dështimit të 2 proceseve jetikë për shqiptarët, atij të kthimit dhe kompensimit të pronave ndaj Ish-pronarëve dhe procesit të Legalizimit arriti deri aty sa me papërgjegjshmërinë e tij dhe mosnjohjen juridike të shpikë sanksione penale dhe indirekt të stimulojë vëllavrasjen ndërmjet shqiptarëve, konkretisht atyre që kanë ndërtuar objekte pa leje dhe atyre që u janë zënë pronat, duke shmangur komplet përgjegjësitë e veta. Aktualisht procesi i Kthimit dhe Kompensimit të ish-Pronarëve ka hyrë në një kaos dhe kolaps total po ashtu dhe ai i Legalizimeve", u shpreh Gjikondi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›