E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në drejtësi, ja pikat e paktit PS-PD

Pas miratimit pak kohë më parë të ligjit "Për organizimin e gjyqësorit", pakti PD-PS pritet të shtrihet në reformimin e përgjithshëm të sistemit të drejtësisë. 

ADI SHKEMBI

Kështu dy partitë e mëdha do të konfirmojnë vullnetin e tyre për kryerjen e kësaj reforme në mbledhjen e parë të nënkomisionit për drejtësinë me miratimin e një draft rezolutë, i cili është konceptuar në formën e një udhërrëfyesi për parlamentin. Në pikat e këtij drafti u rekomandohet parlamentarëve reformimi i gjyqësorit deri në qelizën e tij të fundit, duke e nisur me organizimin, funksionimin, statusin e gjyqtarit, e duke përfunduar tek ajo që quhet qeverisja e gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në pikat për Këshillin e Lartë të Drejtësisë theksohet dhënia e më shumë funksioneve dhe përgjegjësive për këtë institucion. Gjithashtu, pjesë e rëndësishme i draft rezolutës është edhe kapitulli i prokurorisë. Pakti mes dy partive më të mëdha rekomandon edhe reformimin e prokurorisë, ku vihet re vullneti i përgjithshëm i palëve për të ridimensionuar rolin e Këshillit të Prokurorisë, duke e kthyer këtë organ si të vetmin forum kolegjial përgjegjës për punën e prokurorëve, masat ndaj tyre, si dhe promovimin në detyrë. "Pasi kane rënë dakord paraprakisht për të gjitha këto pika, në vija të përgjithshme, palët angazhohen për respektimin e paktit për drejtësinë pavarësisht rrethanave politike në vend, pasi ky pakt është hartuar me bindjen se, Drejtësia është detyrimi më i lartë që ka politika ndaj shtetasve", thuhet në fund të këtij projekti.

Draft rezolutë PD-PS

1. Eliminimit gradual të fragmentarizimit të skajshëm që karakterizon sot qeverisjen e pushtetit gjyqësor në Shqipëri, duke grumbulluar më shumë funksione në Këshillin e Lartë të  Drejtësisë
2. Administrimit nga ana e KLD-së të burimeve financiare të sistemit gjyqësor, kombinuar me elementë të autonomisë së administrimit financiar të vetë gjykatave
3. Përcaktimit të KLD-së si organi i vetëm gjykues dhe vendimmarrës për përgjegjësitë disiplinore sipas ligjit të Gjyqtarëve, bazuar në një proces të drejtë ligjor, në të cilin, ministri i Drejtësisë, në emër të interesit publik, konstaton shkeljet, formulon pretendimet dhe i paraqet ato në KLD.
4. Riformatimit të konferencës gjyqësore kombëtare, duke i dhënë rol më të madh në diskutimin e reformave në sistemin e drejtësisë, si dhe përmirësuar më tej procedurat e saj vendimmarrëse në lidhje me përzgjedhjen e anëtarëve të KLD-së, duke siguruar një konkurrencë të drejtë, të hapur, me kritere të rishikuara dhe me përfaqësues për të gjitha shkallët dhe juridiksionet e gjykatave, përmes parimit një anëtar një votë
Reformimi i prokurorisë - reforma në pushtetin gjyqësor mund dhe duhet të zhvillohet në harmoni me masat legjislative dhe duhet të reformojnë organin e prokurorisë. Këto masa duhet te synojnë:
1. Ridimensionimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë, brenda kuadrit kushtetues në fuqi, në emërimin, vlerësimin, ngritjen në detyre, transferimin dhe procedimin disiplinor të prokurorëve, duke e kthyer këtë organ si të vetmin forum kolegjial përgjegjës për propozimet, karrierën dhe masat disiplinore ndaj prokurorëve. Ky këshill duhet të adoptojë rregulla që sigurojnë transparencën dhe konkurrimin brenda radhëve të prokurorisë për të gjitha pozicionet.
2. Përcaktimi i qartë i statusit të prokurorit në një proces hetimor dhe gjyqësor duke i siguruar autonominë e nevojshme profesionale dhe shmangur centralizimin gati absolut ne vendimmarrje
3. Përmirësimi thelbësor i organizimit hierarkik, lëndor dhe territorial të sistemit të prokurorisë.
4. Brenda pozicionit kushtetues të rolit të prokurorisë, të përmirësohen dhe të qartësohen mbi rolin dhe bashkëveprimin mes prokurorisë dhe policisë gjyqësore, duke saktësuar rastet dhe mënyrat e delegimit të kompetencave ose detyrave hetimore tek punonjësit e policisë gjyqësore, si dhe rolin e prokurorit në vlerësimin e kryerjes së duhur të kompetencave të deleguara dhe detyrave të dhëna nga këta punonjës.
5. Konsolidimi i rolit të policisë gjyqësore, duke krijuar mekanizmat e nevojshëm, rekrutimi dhe karriera e policëve gjyqësorë të jetë në harmoni me vlerësimet e dhëna nga organi i prokurorisë
6. Kufizimi kohor i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm me qëllim sigurinë juridike në ushtrimin e funksionimit dhe shmangien përfundimtare të debatit politik për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›