E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: “Qeveria po nxit krijimin e monopoleve”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin për aktet ligjore të miratuara së fundmi nga Qeveria për tregun e hidrokarbureve. “Vërejmë se akte të tilla ligjore imponojnë fenomene monopoliste në këtë treg, duke cenuar rëndë parimet e funksionimit të tregut të lirë dhe detyrimet tona në kuadër të marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit, të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, Cefta, apo detyrimet në kuadër të anëtarësisë në OBT”, - tha kryetari i KDK-së së LSI-së, Edmond Haxhinasto. Sipas tij, këto veprime gjithashtu janë tregues se kësaj Qeverie i mungon një strategji e qartë në fushën e energjetikës, e konkretisht në rregullimin e tregut të hidrokarbureve. “Kërkojmë që Qeveria të reflektojë dhe të marrë në konsideratë interesat e operatorëve ekonomikë, duke respektuar parimet dhe kërkesat e tregut të lirë, por edhe interesat e konsumatorëve që duhet të përdorin përsëri hidrokarbure me cilësi të dobët”, - tha ai. Qeveria ka bërë një ndryshim në draftin që lejon shitjen e karburantit D2 në Shqipëri, pasi Autoriteti i Konkurrencës në vend ka kërkuar që ky produkt të mund të tregtohet nga të gjithë operatorët e karburantëve. Në ndryshimin e bërë parashikohet që nafta D2 të tregtohet në Shqipëri deri në vitin 2010 nga të gjithë distributorët, të cilët nuk do ta importojnë atë, por do të furnizohen nga ARMO, e cila është privatizuar para pak kohësh. LSI ka komentuar dhe debatin mes Berishës dhe Bodes të cilin e ka konsideruar të rëndësishëm, sepse ka një ndikim me disa miliarda euro në ekonominë shqiptare. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, tha se Parlamenti shqiptar duhet të aktivizojë të gjithë mekanizmat përkatës ku Kryeministri dhe ministri i Financave të interpelohen, por edhe të përdoren mekanizmat e tjerë parlamentarë për të nxjerrë të vërtetën.
Ky lajm është publikuar: 09/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›