E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Rruga tek Uji i Ftohtë gjendje të mjerueshme, Bashkia ta riparojë

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot nga qyteti i Vlorës për gjendjen e mjeruar të aksit të vetëm rrugor tek Uji i Ftohtë nga ku kalojnë makinat që lëvizin drejt rivierës. 
Në një prononcim për mediat, Sekretari Ndërkombëtar, njëkohësisht i Deleguar i LSI për Qarkun Vlorë, Ralf Gjoni, u shpreh se gjendja jashtëzakonisht e degraduar e aksit të vetëm kombëtar tek Uji i Ftohtë është e patolerueshme dhe se Bashkia e Vlorës duhet urgjentisht të nisë riparimin pa humbur kohë. 

“Gjendja e mjeruar e rrugës dalëse tek Uji i Ftohtë është e patolerueshme. Ndërkohë që po punohet për të zgjeruar tunelin nga ana tjetër, Bashkia duhet të kishte marrë masat për riparimin e aksit të vetëm kombëtar nga ku sot tentohet të kalohet në dy drejtime. Ndërkohë që për shkak të rrjedhjes së shumtë të ujit dhe të gropave e pusetave që janë hapur, si dhe ndërtimeve totalisht katastrofike e pa kriter në këtë zonë, kjo rrugë është bërë e pakalueshme dhe po shkaterrohet dita dites. Cdo ditë këtu në hyrje të Vlorës, rruga bllokohet mesatarisht 15-20 herë, duke shkaktuar një stres të panevojshëm dhe vonesairrituese për udhëtarët e turistët”.

“LSI, u shpreh Gjoni, kërkon nga Bashkia e Vlorës, ndërhyrjen urgjente dhe riparimin e menjëhershëm të këtij aksi, fatkeqësisht kombëtar, në interes të qytetarëve dhe turistëve gjithnjë në rritje në këtë prag sezoni turistik”, thuhet në deklaratë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›