E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Shpërblimi i Berishës sa në kohën e Nanos

25/12/2008  Pozita miraton aktin normativ për pensionet. PS-ja bojkoton

Seanca parlamentare e zhvilluar gjatë ditës së djeshme, ndryshe nga herët e tjera, u karakterizua nga një qetësi, e cila kish munguar prej kohësh në këtë sallë. Kjo për vetë faktin se gjatë punimeve parlamentare nuk ishte i pranishëm grupi parlamentar i Partisë Socialiste, pasi, sikurse dhe kishin paralajmëruar, ligjvënësit socialistë nuk do të jenë e pjesë e seancave sa kohë në Kuvend nuk kalon për miratim dekretet i Presidentit për Kodin Zgjedhor. Por pavarësisht se deputetët socialistë qëndruan të palëkundur vendimit të tyre, mazhoranca ka vijuar e qetë në miratimin e axhendës së këtyre punimeve. Kjo u dha mundësi deputetëve të grupit parlamentar “E majta për integrim” të bënin opozitë gjatë kësaj seance. Nisur nga fakti se gjatë seancës së djeshme ishte parashikuar diskutimi dhe miratimi i aktit normativ për të shpërblyer administratën dhe pensionistët, kanë reaguar me radhë deputetët e LSI-së Pëllumb Xhufi, Spartak Braho, Nikollaq Neranxi dhe Angjelina Kola. Gjatë fjalës së tyre deputetët e këtij grupi parlamentar kanë shprehur kundërshtitë e tyre për projektligjet e sjella në Kuvend nga mazhoranca, mes të cilave edhe ndryshimet në projektbuxhetin e vitit 2009. Por një pretendim i tillë është hedhur poshtë nga Kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, rritja ekonomike prej 9.9% është një mesazh i mirë që Shqipëria i dërgon gjithë botës në një kohë krize. Këtë qëndrim kreu i ekzekutivit i bazoi në shifrat e rezultuara nga ekspertiza e FMN-së. Por referuar pikërisht aktit normativ deputetja Kola hoqi një paralele me qeverisjen socialiste të ish-kryeministrit Fatos Nano. Për këtë arsye deputetja Angjelina Kola i kujtoi Kryeministrit se po shpërblen pensionistët vetëm me 5 mijë lekë të reja, siç bëri ish-kryeministri Fatos Nano në fund të vitit 2004. Ndryshimet për projektbuxhetin kanë kaluar me 75 vota pro, ndërsa debatet janë ndezur edhe gjatë diskutimeve për ligjin për mjedisin. Megjithatë, deputetët e shumicës nuk kishin mungesa për të plotësuar numrin e nevojshëm për zhvillimin e seancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›