E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Shumica e shqiptarëve është kundër protestave që rrezikojnë integrimin e vendit në BE

Deklaratë e plotë e Dritan Yllit, Anëtar i Kryesisë së LSI


Protesta gjoja-treditore e Edi Ramës ishte një dështim i qartë në sytë e të gjithë shqiptarëve. Deklaratat halucinante për pjesëmarrje të ëndërruar prej mijëra vetësh, por që nuk ishin aspak të verifikuara në shesh, nuk e mbuluan dot dështimin dhe falë medias të lirë dhe të pacensuruar nga Rama, shqiptarët nuk e patën të vështirë të vlerësojnë vetë se çfarë ndodhi në rrugën para Kryeministrisë. Edhe sondazhe serioze siç ishte ai i Zërit të Amerikës, ku 76 për qind të shqiptarëve ishin kundër protestës dhe bojkotit, është një dëshmi e qartë e refuzimit kategorik që shqiptarët ju bëjnë ekstremizmave anti-integrim. Butaforia e kësaj proteste, ku kauza e vetme është dhunimi i shtetit ligjor, përmes gjoja kërkesës për hapjen e kutive, e cila shkon në kundërshtim me ligjshmërinë e procesit, si rrjedhojë nuk përcoi një motiv frymëzues tek shqiptarët, të cilët janë dëshmitarë se Edi Rama vetë i hapi kutitë, vetë i numëroi ato dhe vetë i firmosi dhe i vulosi me 20 mijë komisionerët e tij. E gjithë kjo është vetëm një përpjekje e marrë e tij, për të nënshtruar shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve. Ndaj qytetarët e refuzojnë mashtrimin e tij të sotëm, që është thjesht dhe vetëm në shërbim të interesave thellësisht personale të tij dhe të një klani të ngushtë klientelist që ka përreth. Dhe këtë e vërtetoi dukshëm, fakti që protesta degradoi në nivelin ku kishte më shumë çadra, kioska për qofte, stufa gazi dhe disa kioska për nevojë të tjera. Refuzimi ishte provë e qartë se shqiptarët nuk mbështesin antikauzat ekstremiste, që shkojnë kundër integrimit europian të Shqipërisë. Veçanërisht në këtë moment kundër procesit të liberalizimit të vizave. Bojkotimi dhe indiferenca e gjerë qytetare shoqëruan protestën, veçanërisht nga qyterarët e Tiranës, të cilët përvec halleve të shumta të përditshme atyre iu shtuan edhe andrallat e një kaosi krejtësisht të panevojshëm që bllokoi një nga akset kryesore të Tiranës, në mënyrë tërësisht fiktive, me qëllimin e vetëm për të qetësuar dështimin dramatik të Edi Ramës. Ky refuzim i gjerë, është shprehja më e mirë e dëshirës së të gjithë shqiptarëve për integrim dhe jo për radikalizëm ekstremist, që përçon frymë të vjetër. Kjo frymë e vjetër u shfaq në mënyrë të trishtë nga përfaqësuesit më të vjetër, të politikës më të vjetër të Partisë së Punës. Antikauza që ka përqafuar Edi Rama dhe të vjetrit e PS, është sot më larg Europës, sesa edhe vetë Partia Socialiste e vitit 91, ndërsa qytetarët shqiptarë janë më pranë Europës se kurrë ndonjherë në historinë e tyre mijëravjeçare. Abuzivizmi i bashkiakëve socialistë është i dënueshëm, është në sytë e publikut dhe shpërdorimi që ata po i bëjnë administratës në varësi të tyre, i rëndon shumë ata, por nuk zgjidh dramën e antikauzës së Ramës, dramën e dështimit dhe të zhgënjimit të tij. Procesi i integrimit europian dhe hapi i parë i madh i liberalizimit të vizave, është një proces i pandalshëm. Shqiptarët duan këtë dhe jo frymën destabilizuese, shqiptarët duan qetësinë dhe jo kaosin, shqiptarët kërkojnë një Shqipëri europiane dhe jo Republikën ish-komuniste të Edi Ramës. Shqiptarët duan stabilitet dhe respektimin e shtetit ligjor, dhe jo trille apo ëndrra për zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2013, kështu që Edi Rama ka mjaft kohë për të mësuar nga dështimi i kësaj proteste dhe për të vënë një herë të vetme interesat e shqiptarëve, mbi të tijat personale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›