Papa Primatit anglikan Uilliams: “Ta vijojmë dialogun!”
Benedikti XVI priti dje në audiencë, në Vatikan, Hirësinë e Tij, Rouan Uiljams Kryeipeshkëv i Kantërburit, Primat i Bashkimit Anglikan. Sipas njoftimit të një komunikate të Sallës vatikanase të Shtypit, “gjatë bisedimit të përzemërt u theksua posaçërisht sfida që duhet të përballojnë të gjitha bashkësitë e krishtera në këtë fillim mijëvjeçari. U theksua se është e nevojshme të promovohen forma të përbashkëta bashkëpunimi e dëshmimi, në përpjekjen për t’i përballuar këto sfida. U fol edhe për ngjarjet e fundit, që kanë të bëjnë me lidhjen ndërmjet Kishës katolike e Bashkimit anglikan, duke theksuar vullnetin për t’i vijuar e për t’i fuqizuar më tej marrëdhëniet ekumenike ndërmjet katolikëve e anglikanëve e duke kujtuar se, pas pak ditësh, do të mblidhet Komisioni i ngarkuar për të përgatitur fazën e tretë të dialogut teologjik ndërkombëtar ndërmjet palëve”.
Thirrje e pasionuar e Papës drejtuar artistëve: Të jeni dëshmitarë të shpresës për njerëzimin/U mbajt në Kapelën Sikstine takimi i shumëpritur i Benediktit XVI me artistët, dhjetë vjet pas Letrës drejtuar artistëve nga Gjon Pali II e 45 vjet pas takimit historik të Palit VI me botën e artit, në maj të vitit 1964. Qëllimi i tij: rilidhja e miqësisë ndërmjet Kishës e artistëve dhe krijimi i rasteve të reja për të bashkëpunuar në të gjitha fushat e artit. Të ftuar nga Këshilli Papnor i Kulturës, 500 artistë, caktuar nga një komision i posaçëm, nga kontinente e vende të ndryshme, përfaqësues të pesë arteve kryesore: pikturës e skulpturës; arkitekturës; letërsisë e poezisë; muzikës e këngës; kinemasë, teatrit, baletit, fotografisë e arteve të tjera.
Simbolikisht takimi ishte një audiencë e përgjithshme, me dyer të hapura për të gjithë artistët, që e dëshirojnë dialogun dhe miqësinë e artit me fenë, në përfundim të të cilit Papa u drejtoi artistëve thirrjen: “Ju jeni rojtarë të bukurisë; ju, falë talentit tuaj, keni mundësinë t’i flisni zemrës së njerëzimit, të ngjallni shpresat, të zgjëroni horizontet e dijes e të veprimtarisë njerëzore. Duhet të jeni, prandaj, mirënjohës për dhuratat që keni marrë e të vetëdijshëm për detyrën që ju është ngarkuar: të komunikoni në bukuri e përmes bukurisë. Uroj që edhe ju, përmes artit tuaj, të jeni kumtarë e dëshmitarë të shpresës për njerëzimin. E mos kini frikë të ballafaqoheni me burimin e parë e të fundmë të bukurisë, të dialogoni me besimtarët, me ata që, ashtu si ju, e ndjejnë veten shtegtarë në botë e në histori, gjithnjë për udhë drejt Bukurisë së Pambaruar! Feja nuk i heq asgjë gjenisë suaj, artit tuaj, përkundrazi, e larton, e ushqen, i jep zemër ta kapërcejë pragun e të kundrojë me sy të mrekulluar e të prekur thellë, cakun e mbramë e përfundimtar, diellin pa perëndim, që e ndriçon dhe e bën të bukur të sotmen!”.
Pikërisht miqësia ndërmjet Kishës e artistëve, gjithnjë e pranishme në historinë e krishterimit, që e ka kuptuar përherë vlerën e artit dhe e ka përdorur urtisht larminë e formave të tij për të komunikuar mesazhin e pandryshueshëm të shëlbimit, ishte në qendër të vëmendjes në fjalën, që Benedikti XVI u drejtoi artistëve në të njëjtën Kapelë, ku pothuajse një gjysëm shekulli më parë, një Papë takohej me botën e artit. Ishte Papa Montini, që ecte në rrugën e hapur nga paraardhësit, Piu XII e Gjoni XXIII. Organizonte një takim të tillë, për t’u bërë artistëve, nga ky vend mahnitës e domethënës, sa për Kishën, aq për artin, thirrje për pajtim. Këtë theksoi Benedikti XVI që në fillim të takimit, duke kujtuar se ishte po ky Papë, që shpalli pajtor të artistëve, të Lumin Anxheliko, duke e paraqitur si model i përkimit të përkryer të fesë me artin. Fjalët që tha asokohe Pali VI – vijoi Papa – jehojnë edhe sot nën qemerin e Kapelës Sikstine, duke prekur mendjet e zemrat: “Ne kemi nevojë për ju – pati thënë Ai – Ministeri ynë ka nevojë për bashkëpunimin tuaj. Sepse, siç e dini, detyra jonë është ta predikojmë e ta bëjmë të afërt, të kuptueshme, të prekshme, botën e shpirtit, botën e të Padukshmit, të Patregueshmit, Hyjit. E ju jeni mjeshtra në këtë veprimtari. Është mjeshtria juaj, misioni juaj, arti juaj t’ia rrëmbeni qiellit, shpirtit, thesaret e tij e t’i vishni me fjalë, me ngjyra, me forma, me kuptim" (Insegnament II, [1964], 313). Shprehte, kështu, impenjimin e Kishës për rivendosjen e miqësisë me artistët e u kërkonte atyre të dialogonin së bashku, duke analizuar me seriozitet e objektivitet shkaqet që e kishin trazuar këtë miqësi, në shërbim të rilindjes së arteve, në rrethanat e një humanizmi të ri.
Marrë nga Radio Vatikani