E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në 4 vitet e ardhshme, Shqipëria e përgatitur për në BE

 

Kryeministri Berisha premtoi mbrëmë se në 4 vitet e ardhshme Shqipëria do të ndryshojë për t’u bërë një vend i përgatitur për anëtarësimin në BE. I pranishëm në ceremoninë e përurimit të 13 rrugëve të brendshme të Laprakës, financim prej 3 milionë eurosh i Kooeracionit italian, kryeministri premtoi projekte të tilla në të gjithë vendin. “Shqipëria në këto 4 vite do të ndryshojë më shpejt se kurrë në tërë historinë e saj dhe në qershorin e vitit 2013 do të shkojë si një vend i sukseseve të mëdha e i ndryshimeve më të thella, si një vend i përgatitur për verdiktin përfundimtar nga vendet anëtare të Bashkimit Europian për integrimin e saj të plotë”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Në takimin me banorët, kryeministri Berisha theksoi se, “këto 4 vite do të vazhdojmë të festojmë fitoren në çdo fshat dhe qytet të këtij vendi me projekte të reja. Çdo ditë dhe çdo javë do të inaugurojmë fillim punimesh dhe përfundime punimesh të rrugëve, ujësjellësve dhe kanalizimeve, të shkollave, sistemeve të vaditjes dhe shërbimeve të ndryshme dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë deri ditën e fitores së ardhshme më 2013”. Kreu i Qeverisë shprehu angazhimin për të hapur gjatë mandatit të ri qeverisës mbi 160 mijë vende pune dhe për të financuar të gjitha projektet e paraqitura nga bashkitë dhe komunat për ndërtimin e rrugëve, shkollave, ujësjellësve, për zhvillimin e turizmit. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen qeverisë italiane për projektet e realizuara në kuadrin e Kooperacionit italian. Financimi i Kooperacionit italian prej 3 milionë eurosh përfshiu rikonstruksionin e 13 rrugëve në lagjen Laprakë, me një gjatësi prej 7 kilometrash. Në këtë ceremoni ndodhej dhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, Saba D’Elia. Ambasadori D’Elia citoi këtu vetëm një pjesë të vogël të atyre dhjetëra dhe qindra projekteve, që në kuadrin e Kooperacionit italian zbatohen në mbarë vendin. Projekti i sotëm është një dëshmi e re e suksesit të këtyre investimeve. Ndaj dhe le të vazhdojmë së bashku edhe një herë në ndryshim e këtij vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›