E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Të nisë puna për Reformën Zgjedhore

TIRANË-Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) i bëri sot thirrje opozitës të bashkëpunojë për reformën zgjedhore, në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit.

Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama theksoi se është e domosdoshme përfshirja e aktorëve politikë të vendit në reformën zgjedhore.

“Na ndajnë 2 vjet nga zgjedhjet parlamentare. LSI jo vetëm është e gatshme, por fton palët të bëhen pjesë e këtij procesi, fton opozitën të japë kontribut për të realizuar reformën si kusht të rëndësishëm për ritme më të shpejta në kuadër të integrimit evropian të vendit. LSI ka ndërmarrë iniciativa dhe thekson se është e gatshme të kontribuojë e të japë të gjithë përvojën dhe ndihmesën e vet që ky proces të fillojë menjëherë. Koha nuk duhet shperdoruar siç ka ndodhur më parë, nëse opozita është e angazhuar për të qenë pjesë e këtij procesi, është koha për kontribute reale dhe jo për fjalë e demagogji”, u shpreh ai.

Ndër të tjera Luan Rama theksoi se procesi zgjedhor i 8 majit, evidentoi një sërë problemesh ndaj dhe sipas tij është e domosdoshme një reformë zgjedhore tërësore, që të jetë në funksion të procesit të integrimit të vendit.

“OSBE do të gjejë tek LSI partnerë korrekt, me kontribut real për të realizuar këtë reformë në të mirë të interesave të qytetarëve”, shtoi sekretari i përgjithshëm i LSI-së.

Më tej Luan Rama u shpreh dhe për reformën që duhet sipas tij domosdoshmërisht në institucionin e Prokurorisë.
Sipas tij, kërkesa për reformën nuk vjen nga interesa të castit.
“Reforma për të reformuar sistemin e drejtësisë sic është dhe prokuroria nuk vjen nga interesa të castit. Jo pak sondazhe, por edhe në opinionin publik, në organet publike është perceptimi për elementë korrupsioni, për shpërdorim të autoritetit nga ana e organeve të drejtësisë. Ndaj reformimi tërësor i Prokurorisë është një kusht që duhet të plotësohet domosdoshmërisht dhe parlamenti ka detyrimin ta shohë rrënjësisht”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›