Meta: Prokuroria, celulë politike ekstremiste, u përdor për 8 Maj
Tiranë- Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka akuzuar Prokurorinë e Përgjithshme si celulë politike ekstremiste, që nuk ka pasur si qëllim zbardhjen e së vërtetës, por dëmtimin e imazhit të tij dhe të partisë që ai drejton. Në një dalje të posaçme publike, Meta ka komentuar disa prej veprimeve hetimore të prokurorisë, siç ishin edhe dy akt-ekspertimet që Gjykata e Lartë i shpalli të pavlefshme. Ish-zv.kryeministri e ka cilësuar veten si të pandehur shembullor, por, sipas tij, ka qenë Prokuroria ajo që i është shmangur gjatë hetimit të kësaj çështje. Gjatë deklaratës, Meta foli edhe për tërheqjen e kërkesës që do të sillte pushimin e çështjes për procedurë, çka do të thotë se tashmë do të zbardhet e vërteta gjatë gjithë procesit gjyqësor, ku kreu i LSI-së premtoi se do të jetë i pranishëm në çdo seancë. “Prokuroria nuk ka pasur për qëllim ta zbardhë këtë çështje, por ka vepruar si një celulë politike ekstremiste për të dëmtuar personin tim dhe forcën politike që unë drejtoj, vetëm për arsye elektorale”- tha Meta, duke shtuar se u konfirmua botërisht se ekspertizat e bëra nga prokuroria janë të pavlefshme. “Janë bërë tri ekspertiza dhe kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë. Të tria herët janë zgjedhur vetë nga prokuroria, të tria herët, pavarësisht nga paralajmërimet tona edhe me shkrim, si nga unë vetë, ashtu edhe nga ana e avokatëve të mi, është shkelur në mënyrë flagrante ligji dhe kodi i procedurës penale, duke dëmtuar në mënyrë të qëllimshme një proces, ku prokuroria kishte për të detyrë të zbatonte ligjin dhe të zbardhte të vërtetën” - deklaroi kreu i LSI-së. Në deklaratën e tij, ish-zv.kryeministri ka hedhur dyshime se organi i akuzës nuk është lejuar qëllimisht të zbardhte të vërtetën, duke lënë të kuptohet se ndikimet kanë qenë politike. “Unë e kam thënë edhe më parë, se të gjitha këto kanë ndodhur ngaqë prokuroria e di shumë mirë se ajo kasetë është një montazh, por prokurorisë i është ndaluar që në fillim që ta zbardhë të vërtetën. Sepse nuk mund të dilte kurrsesi kjo e vërtetë, aq më tepër para zgjedhjeve të 8 Majit, kur aktorë të rëndësishëm politikë kishin dhënë garanci para opinionit publik që kjo nuk ishte montazh” - deklaroi z. Meta. Duke akuzuar prokurorinë për ndikime politike, Meta tha se “Me veprimet e saj skandaloze dhe politike, njëkohësisht ka kryer edhe disa vepra penale në gjithë këtë proces ndaj personit tim dhe unë edhe ndaj saj edhe ndaj cilitdo tjetër që ka cenuar të drejtat e mia si qytetar, do të shfrytëzoj të gjithë legjislacionin shqiptar dhe europian për t’i fituar këto të drejta, jo thjesht në emër të Ilir Metës, por në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilëve u janë cenuar të drejtat e tyre ose mund t’u cenohen në të ardhmen nga sjellje të tilla të papërgjegjshme dhe antiligjore”.