E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në ish-Bllok, autori u identifikua nga 2 motra

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 13-07-2011 11:12

Tiranë- Autori i vrasjes së Nadien Zenelit, në një lokal të populluar në zonën e ish-Bllokut është identifikuar prej dy motrave, të cilat ndodheshin në tavolinën e viktimës. Sipas kërkesës për masën e sigurisë, dorëzuar në Gjykatën e Tiranës nga organi i akuzës thuhet se dy vajzat e mbijetuara nga atentati kanë identifikuar Marklen Hakën si autor të ngjarjes. Në vendimin e zbardhur të kësaj gjykate thuhet se nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se autor i krimit është Haka. “Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës është bërë dhe paraqitja për njohje e të dyshuarit si autor, Marklen Haka dhe dy dëshmitareve, të cilat e kanë identifikuar atë si autor të vrasjes së Nadien Zenelit”, - thuhet në vendimin e Gjykatës, që la në burg pa afat 21-vjeçarin Haka. Nga kontrolli i ushtruar nga policia në banesën e Lutfi Hakës dhe Marklen Hakës janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale dy armë automatike dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh. Mbi këtë bazë policia ka proceduar me arrestimin në flagrancë të Marklen Hakës, i dyshuar për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve luftarake dhe e municionit”. Ngjarja për të cilën Haka akuzohet nga drejtësia ka ndodhur në datë 13 qershor, kur ky i fundit dyshohet se ka vrarë Nadien Zenelin dhe ka plagosur dy miqtë e tij, Bledar Mihën dhe Tafë Mandrin. Sipas versionit zyrtar të Policisë së Tiranës lidhur me këtë ngjarje, mësohet se vrasja ka ardhur për gjakmarrje, pasi familja Haka akuzonte Zenelin si pjesëmarrës në vrasjen e djalit të tyre Roland Haka, ngjarje kjo e ndodhur ne vitin 2004 në qytetin e Krujës. Th. Samarxhiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›