E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha inkurajon investitorët kinezë në fushën e telekomunikacionit



Gjatë qëndrimit në Pekin, kryeministri Berisha u takua me drejtues të kompanisë “ZTE”, një ndër kompanitë më të mëdha kineze në fushën e telekomunikacionit, me një xhiro prej 10 miliardë dollarë në vit. “ZTE” operon në fushën e teknologjisë së informacionit, në telefoninë celulare etj. Richard Guo, zëvendëspresident i kompanisë dhe John Lee, drejtor i Përgjithshëm për Ballkanin, u shprehën të kënaqur për këtë takim dhe i shprehën kryeministrit interesin shumë të madh për tregun shqiptar. Ata e informuan kryeministrin Berisha se tashmë kanë në Shqipëri një përfaqësi të tyre dhe së shpejti do të zgjeronin në mënyrë të ndjeshme aktivitetin e tyre. Kryeministri Berisha e konsideroi një lajm të gëzuar faktin që një kompani e fuqishme si “ZTE” shfaq interes dhe planifikon të zgjerojë investimet në Shqipëri. “Qeveria shqiptare, - tha kryeministri – do të ofrojë çdo lehtësim për kompanitë prestigjioze kineze për të hapur linja prodhimi në Shqipëri dhe për të eksportuar më pas në një treg më të gjerë, siç është tregu europian”. Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria ofron shumë për investitorët dhe për ta bërë sa më atraktive klimën e biznesit në vend, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë nismash si “Shqipëria një euro”, vendosja e taksës së sheshtë 10 për qind, ndër më të ulëtat në Europë, dixhitalizimi i procedurave etj. Shqipëria, tha kryeministri, ofron gjithashtu edhe një treg pune nga më të leverdishmit dhe të mirëtrajnuar.

9 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›